Lidhje

Banka e Shqipërisë ul në 0.5 përqind normën bazë të interesit


Në Shqipëri, Banka Qendrore vendosi sot të ulë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit e cila zbret në kuotën e 0.5 përqind, në përpjekje për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë në kushtet e një situate problematike të krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ky vendim, siç u shpreh, Guvernatori Gent Sejko “është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes”.

Guvernatori Sejko, tha se “përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar”, duke shtuar se “masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve”.

Për të minimizuar efetet e pandemisë mbi ekonominë vendase, më herët Banka e Shqipërisë deklaroi se rriti kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë, si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. “Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht”, shpjegoi Banka, e cila po kryen injektim të pakufizuar të likuiditetit në sektorin bankar. Po ashtu me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, u lehtësuan procedurat e shtyrjes me një tremujor të pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet e prekura nga kriza, duke i ofruar sektorit bankar hapësirat e nevojshme rregullatore për ta bërë këtë.

Këto masa që ne kemi marrë, brenda fushës sonë të kompetencës, mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik”, deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG