Një tjetër person me COVID 19 humbi sot jetën në spitalin Infektiv, duke e çuar në 17 numrin e viktimave. Pacienti 75-vjeçar “ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë, teksa vuante nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni. Ai ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore është rënduar në mënyrë të menjëhershme. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë”, shpjegoi ministria e Shëndetësisë.
Në 24 orët e fundit, numri i rasteve të konfirmuara me COVID 19, shënoi të premten një nga shifrat më të larta, me 27 persona të prekur, duke e çuar në 304 totalin e të infektuarve. Mosha mestare e tyre është 50 vjeç.
Ajo që bie në sy nga të dhënat e përditësuara nga Ministria e Shëndetësisë, është se 12 raste janë konfirmuar vetëm në Shkodër, në dy rrethe familjare. Mes tyre është dhe një fëmijë 13 vjeçar.
Sipas zëvendës ministres Mira Rakacolli “kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike”.
Deri më tani janë 9 fëmijë të prekur, me një moshë mesatare prej 8 vjeç, në gjendje të stabilizuar.
Përveç Shkodrës, rastet e reja të 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe në 6 qytete të tjera të vendit. Deri më tani Tirana mbetet epiqendra e epidemisë me 146 raste, me gati gjysmën e totalit, e pasuar nga Durrësi me 32 raste, Fieri me 25 raste, Shkodra me 22 raste, Korça me 16 raste dhe Lezha me 11 raste. Në të 11 qytetet e tjera, shfrat janë poshtë 8 rasteve.
Në të dy spitale e Tiranës që trajtojnë rastet me koronavirus, janë 77 të shtruar, nga të cilët 4 janë në gjendje të rëndë. “Në Shërbimin Infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv. Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar)”, shpjegoi zonja Rakacolli.
Gjatë 24 orëve të fundit janë 13 të prekur të cilët janë shënuar, duke e çuar në 89 numrin e përgjithshëm të atyre që kanë dalë negativë pas dy testeve të njëpasnjëshme.
Facebook Forum