Lidhje

COVID-19 dhe e ardhmja e vullnetarëve të Korpusit të Paqes


Korpusi amerikan i Paqes ndërmori një hap të paprecedent në përgjigje të pandemisë, duke evakuar 3,300 vullnetarët e tij në 61 vende të botës. Kjo i ka lënë shumë prej vullnetarëve në një situatë të pasigurt për të ardhmen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden foli me disa vullnetarë të sapokthyer në vend, të cilët thonë se e mbështesin vendimin e agjencisë për t'i evakuar për shkak të shqetësimeve për shëndetin, por janë të zhgënjyer që u është dashur t’i japin fund më herët angazhimit dy-vjeçar për të jetuar dhe punuar në vendet në zhvillim.

Alisia Moreno ishte vullnetare e Korpusit të Paqes në Timorin Lindor, ku punonte me një grup të zhvillimit të komunitetit para se të merrte urdhërin e evakuimit në kryeqytetin Dili më 15 mars për shkak të kërcënimit nga koronavirusi.

"Ne menduam se po shkonim në kryeqytet për të qenë të gjithë së bashku, në mënyrë që të mos ishim barrë për komunitetet ku po qëndronim. Dhe pastaj ata na thanë, ‘po ju dërgojmë në shtëpi me aeroplanin e radhës, tregon ajo.

Korpusi i Paqes ndërpreu shërbimet e të gjithë vullnetarëve, përfshirë atë të Danielle Collier, e cila kishte vetëm tre muaj që kishte filluar punën si vullnetare në fushën e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Ajo u evakua dhe tani jeton në shtëpinë e familjes së saj në Juta. Collier planifikon të aplikojë sërish sapo agjencia të rifillojë operacionet e saj.

"Unë nuk mendoj se puna ime ka mbaruar dhe kam një ndjenjë se pas kësaj situate të jashzakonshme, marrëdhënia me këtë vend befas është më e fortë, madje edhe nga një distancë e largët", thotë ajo.

Shumë vullnetarë si Ashley Resurreccion, të cilët kanë shërbyer si mësues në Tajlandë, shqetësohen se Korpusi i Paqes mund të mos rimëkëmbet nga kjo ndërpreje e operacioneve në mbarë botën.

"Ne jemi përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe kemi krijuar gjithë këto lidhje me komunitetet dhe me vendet e tjera. Dhe tani që i kemi ndërprerë plotësisht ato, nuk e di se si do të mund ta marrim veten nga kjo", thotë Ashley.

Por Korpusi i Paqes këmbëngul se do të rifillojë operacionet pasi të mbarojë pandemia e koronavirusit.

Ndërsa kundërshtarët e ndihmës amerikane për vendet e huaja në të kaluarën janë përpjekur të shkurtojnë buxhetin e agjencisë humanitare, Korpusi i Paqes vazhdon të ketë mbështetje të fortë dypartiake në Kongres

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG