Pas një bisede telefonike mes Presidentëve Trump dhe Putin në fund të marsit, Rusia dërgoi 60 tonë pajisje mjekësore në Shtetet e Bashkuara. Por ndihmat ruse nuk janë një gjest i thjeshtë humanitar. Analistët shpjegojnë se në kohë krizash vendet i përdorin akte të tilla për të dëshmuar superioritet:
Një avion ushtarak rus me 60 tonë pajisje mjekësore mbërriti në ShBA në fund të marsit. Avioni zbriti në Nju Jork, epiqendra e epidemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Ndër pajisjet e sjella nga Rusia kishte maska dhe respiratorë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se qëllimi i Rusisë është të ndihmojë Shtetet e Bashkuara të reagojnë ndaj përhapjes së shpejtë të COVID-19. Peskov shtoi se Presidenti Trump e kishte pritur me kënaqësi ndihmën humanitare.
Por sipas Departamentit të Shtetit, pajisjet ishin blerë me çmim të plotë nga Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë për shtyp në faqen elektronike të Departamentit të Shtetit thuhej se Shtetet e Bashkuara ranë dakord të blinin këtë sasi pajisjesh të domosdoshme nga Rusia pas një bisede më 30 mars mes Presidentëve Trump dhe Putin.
Më pas, Ministria ruse e Punëve të Jashtme deklaroi se gjysma e pajisjeve ishin ofruar falas nga Rusia, ndërsa gjysma tjetër ishin blerë nga SHBA. Po atë ditë, Departamenti i Shtetit nxori një deklaratë ku thuhej se pajisjet vërtetë ishin blerë nga Uashingtoni, por me çmim të reduktuar.
Analistja Heather Conley, analiste në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare thotë se Rusia mund të mos jetë nisur thjesht nga synime humanitare:
“Kur një vend i caktuar kalon një periudhë të vështirë, zakonisht dërgesat me ndihma të nevojshme bëhen për të krijuar një marrëdhënie më të mirë. Por në realitet Kremlini mund ta përdorë këtë akt për të demonstruar se Shtetet e Bashkuara nuk po e menaxhojnë më së miri krizën”.
Për Kremlinin, kjo dërgesë do të shërbejë për propagandë, thotë analisti Michael Carpenter:
“Synimi është për ta prezantuar si gjest humanitar. Nuk do të kishte asgjë të keqe në këtë skenar. Por fakti është se Rusia do të ketë së shpejti nevojë edhe më të madhe për këto pajisje se Shtetet e Bashkuara”.
Media ruse e përcolli këtë akt me një lajm të thjeshtë, siç duket si rezultat i shqetësimit në rritje në Rusi për koronavirusin.
Facebook Forum