Lidhje

Ashpërsohen masat e ndalim-qarkullimit në Maqedoninë e Veriut


Nga e mërkura pasdite në gjithë Maqedoninë e Veriut, janë ashpërsuar masat e lëvizjes dhe qarkullimit në përpjekje të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Ndalim-qarkullimi filloi në orën 16:00 dhe do ta zgjasë deri në 5:00 të mëngjesit dhe kështu për çdo ditë pune, ndërsa gjatë fundjavave ka një urdhër për ndalimin e tërësishëm të qarkullimit, përkatësisht ora policore fillon të premtën në 16:00 dhe zgjat deri të hënën në 5:00 të mëngjesit.

Autoritetet kanë bërë ndarje të kategorive të moshave kur mund të dalin nga shtëpitë dhe kur jo, gjatë ditëve të punës. Kështu, të moshuarit mbi 67 vjeç kanë vetëm dy orë në dispozicion dhe atë nga 10:00 deri në 12:00, ndërsa të rinjtë e moshës deri 18 vjeç do të mund të lëvizin ndërmjet orëve 13:00 dhe 15:00.

Kjo për ta minimizuar sa më shumë kontaktin midis këtyre dy grup-moshave, duke qenë se mosha e tretë është më e rrezikuar nga COVID-19, ndërkohë që të rinjtë mund ta bartin atë edhe pa shfaqur simpoma, sipas mjekëve specialistë.

Virusi ka prekur edhe 18 persona gjatë 24 orëve të fundit, një shifër kjo që llogaritet si rritje lineare nga ana e ekspertëve të shëndetësisë në vend, ndërsa numri i viktimave shtohet për çdo ditë me nga 2 a 3. Të mërkuren janë konfirmuar 3 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 30.

Pasditen e së mërkures ka humbur jetën një grua lehonë 27 vjeçare nga Kumanova, e cila kishte lindur para kohe javën e kaluar. Virusi megjithatë nuk e ka prekur foshnjen, sipas autoriteteve spitalore. Gruaja ishte pranuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup me frymëmarrje të vështirësuar, teksa sëmundja kishte përparuar shpejtë. Një burrë 44 vjeç nga Kavadari kishte vdekur në banesën e tij dhe mostra e marrë pas vdekjes ka konfirmuar të ketë qenë i infektuar me koronavirus. Viktima tjetër, një burrë i moshës 73 vjeçe nga Kumanova kishte pasur histori sëmundjesh bashkëshoqëruese.

Nga ana tjetër, janë 30 pacientë të shëruar nga sëmundja.

Numri i personave të prekur me koronavirus ka arritur në 617, në një hartë që ka përfshirë 18 qytete, më së shumti Shkupin, Kumanovën, Dibrën, Prilepin, Tetovën. Rreth dhjetë përqind e të prekurve janë mjekë dhe personel mjekësor. Autoritetet bëjnë të ditur se deri tash janë kryer mbi 6 mijë teste për koronavirus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG