Lidhje

Mali i Zi, shkon në 249 numri i të prekurve nga koronavirusi


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Mal të Zi tha të mërkurën se janë konfirmuar gjatë ditës 8 raste të reja me koronavirus.

Në njoftimin e rregulltë të Institutit thuhet se gjatë 24 orëve janë analizuar 200 kampione dhe rastet e fundit e çuan në 249 numrin e të prekurve nga koronavirusi dhe në 2 numrin e personave që kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

Autoritetet shëndetësore thanë se numri i vogël i të infektuarve shprehin optimizëm për parandalimin e mundshëm të koronavirusit.

“Këto janë shenja optimiste dhe nëse vazhdohet me këtë trend mendojmë të rihapim repartet klinike për sëmundjet e rënda dhe për ndërhyrje kirurgjikale”, tha Dr Nemanja Radojeviç.

Qyteti më i prekur është kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica me 123 të infektuar i pasuar nga Komuna e Tuzit në Malësi me 36 të infektuar.

Mbrëmjen e 24 marsit territori i Tuzit në Malësi, me shumicë shqiptare u izolua pasi Trupi Kombëtar i Koordinimit të luftës kundër sëmundjeve infektive vendosi që banorët e zonës të vetizolohen për shkak se brenda një dite u konfirmuan 15 raste të infektuara. Autoritetet vendore të mbështetur nga institucionet qendrore ndërmorën masat e duhura duke parandaluar përhapjen e infektimit me koronavirus.

Një zyrtar i Shtëpisë së Shëndetit në Podgoricë është arrestuar dhe të mërkurën u mor në pyetje nga Gjykata Themelore e Podgoricës, për shkak se bëri publike identitetin e të infektuarve me koronavirus. Këtë veprim të punonjësit shëndetësor e kritikoi Avokati i Popullit dhe opinioni publik në Mal të Zi.

XS
SM
MD
LG