Lidhje

Nju Jork, vendim për zgjerimin e testeve për antitrupa 


Shteti i Nju Jorkut ka zgjeruar numrin e atyre që kanë të drejtë të bëjnë teste antitrupash me personat që janë shëruar nga koronavirusi. Urdhëri ekzekutiv i guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, vjen në një kohë kur nivelimi i kurbës së infektimeve me Covid-19 në këtë shtet ka bërë që të shtohen thirrje për rihapjen e ekonomisë.

Një urdhër ekzekutiv i shtetit të Nju Jorkut do të lejojë zgjerimin e numrit të njerëzve të shëruar nga Covid-19 që kanë të drejtë të bëjnë teste antitrupash, tha guvernatori Andrew Cuomo.

Ne kemi rregulla të shtetit mbi atë se kush mund të bëjë teste antitrupash. Testi i antitrupave tregon nëse personi i infektuar që është shëruar nga virusi ka një imunitet të fortë. Është e rëndësishme që ne të zgjerojmë këtë lloj testi. Dhe ky urdhër ekzekutiv do ta bëjë këtë”, tha guvernatori Cuomo.

Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara dhe ekspertë të tjerë të shëndetit publik thonë se zgjerimi i testimeve do të jetë thelbësor për përpjekjet për rihapjen e ekonomisë, përfshirë testet e antitrupave për të zbuluar se kush ka pasur tashmë këtë sëmundje dhe mund të jetë i sigurt për t'u rikthyer në punë.

Ne duam të rihapim bizneset sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, ne duhet të jemi të mençur rreth mënyrës se si duhet ta bëjmë këtë. Pra, duhet të kemi një koordinim rajonal të mirë dhe një qasje të sigurt. Askush nuk dëshiron të zgjedhë mes strategjisë së shëndetit publik dhe një strategjie ekonomike. Dhe unë si guvernator i shtetit nuk do të zgjedh njërën strategji në kurriz të tjetrës”, tha Andrew Cuomo, guvernator i shtetit të Nju Jorkut.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të viktimave të raportuara të koronavirusit në botë. Nju Jorku është shteti më i prekur nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara si për nga numri it të prekurve ashtu edhe nga numri i viktimave. Megjithatë, në përgjithësi ekspertët thonë se ka një sheshim të shifrave të të infektuarve me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara. Kjo ka shtuar thirrjet për lehtësimin e masave kufizuese dhe rihapjen e ekonomisë. Por, guvernatori Cuomo tha se nuk duhet të nxitohet për këtë.

Kemi një sheshim të shifrave, por jo një rënie të madhe të numrit të rasteve”, tha guvernatori Cuomo

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG