Lidhje

Shkup, zgjatet për 30 ditë gjendja e emergjencës për koronavirusin


Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski thirri të ejten Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të vlerësuar gjendjen me koronavirusin, por një pjesë e anëtarëve nuk morën pjesë në takim. Kryeminsitri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski, zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, i cili është bashkërendues i Shtabeve të krizës nëpër komuna për mbrojtjen nga COVID-19, si dhe Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk shkuan te presidenti për shkak se një ditë më parë kishin vizituar komunën e Kumanovës, ku kryetari i saj Maksim Dimitrievski ka njoftuar të enjten se ishte diagnostikuar pozitiv me koronavirus. Megjithëse, në takimin me këtë të fundit zyrtarët qeveritarë mbanin maska në fytyrë dhe doreza.

Presidenti Pendrovski me Këshillin e Sigurisë rekomandoi zgjatjen e gjendjes së emergjencës edhe për tridhjetë ditë të tjera në një kohë kur duket se kurba e COVID-19 po shkon duke u ngritur. Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 107 raste të reja dhe një vdekje.

Ndërkohë, kryeministri me ministrat e lartpërmednur janë vënë në vetëizolim shtëpiak. Ata nuk kanë njoftuar nëse kanë bërë testet për koronavirus, teksa kreu i Komunës së Kumanovës u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij për disiplinë dhe respektim të masave për parandalimin e infeksionit. Kumanova radhitet menjëherë pas Shkupit për nga numri i rasteve dhe i viktimave të koronavirusit.

Kabineti i Kryeministrit Spasovski do të mbajë seancat në mënyrë të rregullt por përmes internetit.

Nga ana tjetër, në prag të Pashkëve ortodokse, Kisha Ortodokse maqedonase ka njoftuar se do të mbajë liturgjinë, pavarësisht masave dhe orës policore që fillon nga e premtja në orën 16:00 dhe zgjat deri të marten në 5:00 të mëngjesit. Ndërkaq, pas një jave fillon festa e Ramazanit.

Presidenti Pendarovski u shpreh se: “Nëse Papa (Françesku) mban meshën i vetëm dhe xhamitë më të mëdha në vendet e shenjta qëndrojnë të mbyllura, atëherë edhe komunitetet fetare në Maqedoninë e Veriut duhet t’i respektojnë masat”.

Ndalim qarkullimi katër ditësh ka nxitur grumbullimin e qytetarëve të enjten nëpër markete për t’u furnizur me mallra dhe nëpër banka e posta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG