Edhe pse shumë vende të botës këshilluan qytetarët e tyre të vendosin maska në publik pothuaj menjëherë pas shpërthimit të koronavirusit, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e rekomanduan këtë gjë, vetëm pak kohë më parë. Por një stiliste në Los Anxhelos e cila punon edhe si infermiere kishte nisur të prodhonte maska prej pëlhure përpara se autoritetet amerikane të lëshonin një rekomandim për popullatën mbi këtë gjë.
Ky është rezultati kur një stiliste nga Los Anxhelosi e njëkohësisht infermiere, ka nje ide.
“Lidhëset janë elastike. Ka gjithashtu një rrip për ta rregulluar atë në madhësinë e hundës duke e tërhequr poshtë. Ka gjithashtu edhe një xhep”.
Përpara se Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve të rishikonin udhëzimet e të rekomandonin që njerëzit të vendosin në fytyrë edhe maska prej pëlhure, Sonia Smith-Kang kishte nisur të hulumtonte mbi këtë gjë, e të stilonte maska prej pëlhurës që i tepronte nga kompania e saj të veshjeve. Ajo e dinte se punonjësit e kujdesit shëndetësor kishin nevojë për to…
Pasi postoi një foto të punës së saj krijuese në mediat sociale, reagimi ishte i jashtëzakonshëm.
"Papritur, brenda natës, morëm me qindra kërkesa jo vetëm nga profesionistë të kujdesit shëndetësor, por edhe nga individë që vuajnë nga probleme të tjera shëndetësore apo që thjesht duan t'i blejnë për t'i përdorur kur të dalin jashtë”.
Për çdo maskë që shet, një i dhurohet një punonjësi të kujdesit shëndetësor dhe atyre që punojnë në vijën e parë të frontit.
Smith-Kang u ka dërguar tashmë me qindra maska punonjësve të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.
"Sapo i qepim, i nisim".
Sipas faqes në internet “Etsy” e cila shet produkte dore në internet, maskat e fytyrës kanë qenë artikulli më i kërkuar në këtë periudhë. Kjo faqe ka nxjerrë dhe udhëzime për të gjetur shitësit që tregtojnë maska.
Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve i kanë këshilluar njerëzit të mbulojnë fytyrën me maska prej lecke në publik, pasi studimet tregojnë se shumë njerëz me koronavirus nuk shfaqin simptoma dhe janë potencial transmetimi i virusit tek të të tjerët. Vendosja e maskës mund ta parandalojë këtë gjë.
"Ajo që bëni nuk është se po përpiqeni të parandaloni dikë që t'u infektojë, por po parandaloni që ju infektoni të tjerët".
Firas Zabaneh mbikëqyr programin e kontrollit të infeksioneve në tetë spitale në Hjuston.
Ai paralajmëron njerëzit që vendosin maska që të mos i prekin pasi ta vendosin e që të vazhdojnë të zbatojnë rregullin për ruajtjen e një distance fizike prej rreth 2 metrash nga të tjerët.
"Njerëzit nuk janë mësuar të vendosin maska kështu që nëse nuk praktikojmë higjenën e duhur të duarve ata mund ta kontaminojnë atë, pra duke u përpjekur për ta rregulluar pasi e vendosin, apo duke e hequr e vendosur sërisht”.
Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve i kërkojnë popullatës të vendosin maska prej lecke në mënyrë që maskat kirurgjikale dhe ato N95 të ruhen për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Ndërkohë njerëz si Kang-Smith dhe ekipi i saj do të vazhdojnë të qepin, shesin e dhurojnë maska për ata që kanë nevojë.
Facebook Forum