Koronavirusi ka prekur çdo nivel të shoqërisë dhe po sjell një ndezje tensionesh, pasi në shumë vende po lehtësohen masat e izolimit, ndërkohë që ekspertë të shëndetit publik paralajmërojnë se ky proces mund të sjellë intensifikimin e epidemisë nëse nuk bëhet i kontrolluar.
Në Shtetet e Bashkuara ky presion është i dukshëm. Administrata Trump thotë se disa pjesë të vendit janë gati për një rihapje graduale. Por disa udhëheqës shtetërorë thonë se reagimi i mangët i autoriteteve federale si mungesa e testeve, janë pengesë për rihapjen për momentin.
Pasi ka insistuar për ditë me radhë se sistemi i testimit nuk kishte probleme, Presidenti Trump tha të dielën se do të përdorte Ligjin për Prodhim për Mbrojtjen për t’i kërkuar sektorit privat të rrisë prodhimin e tamponëve të testimit.
Presidenti Trump gjithashtu u doli në mbrojtje protestuesve që kanë kërkuar nga guvernatorët të rihapin aktivitetin ekonomik. Presidenti ka përsëritur thirrjet e protestuesve duke i cilësuar pjesëmarrësit si “njerëz që e duan atdheun. Duan të kthehen në punë”.
Masat e izolimit social kanë ndërprerë jetën ekonomike, kulturore dhe fetare dhe kanë sjellë një rënie ekonomike të menjëhershme të paparë që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
Fondi Mondetar Ndërkombëtar parashikon që ekonomia globale të pësojë tkurrje prej 3% këtë vit. Dhjetëra miliona punonjës kanë humbur punën dhe miliona të tjerë janë në rrezik papunësie.
Disa vende kanë filluar të zbusin masat e izolimit social. Kina, ku e pati origjinën epidemia, ka hequr kufizimet e udhëtimit, megjithatë aktiviteti konsumator nuk është riaktivizuar ende. Kontrolli i temperaturës dhe mbatja e maskave janë tani masa rutinë.
India ka lehtësuar kufizimet që llogariteshin si masat më të gjera në botë. Tani disa prodhues industrialë dhe bujqësorë indianë kanë rifilluar punën, me kusht që të vazhdojnë masat e distancimit social dhe të higjenës. Kompanive u kërkohet të transportojnë dhe strehojnë punëtorët, por vetëm disa biznese arrijnë ta bëjnë këtë.
India ka përjetuar ditën më të ngarkuar me raste të reja, pasi u diagnostikuan 1500 të infektuar të tjerë. Në vend vazhdojnë përpjekjet për të rritur kapacitetin spitalor si dhe testimet.
Gjermania ka në plan të lejojë hapjen e disa dyqaneve të vogla, si për shembull për shitjen e mobiljeve apo rrobave për foshnje. Në Shqipëri pritet të rihapen minierat dhe fushat naftë-mbajtëse si dhe disa biznese. Zelanda e Re e ka zgjatur për një javë tjetër mbylljen, por në sektorët e ndërtimit dhe prodhimit industrial punëtorët do të jenë në gjendje të rifillojnë punën së shpejti.
Infeksioni nuk ka kursyer asnjë shtresë të shoqërisë. Në Afganistan, të paktën 20 punonjës të pallatit presidencial kanë rezultuar pozitivë, tha një zyrtar i cili foli në kushte anonimiteti.
Nuk është e qartë nëse Presidenti Ashraf Ghani ka qenë në kontakt me këta punonjës ose nëse është testuar për virusin, Sipas njoftimeve ai është në vetë-karantinë. Presidenti Ghani, 70-vjeçar dhe ish-pacient me kancer, konsiderohet në grupin e rrezikut të lartë.
Një ndër viktimat e virusit ishte festivali vjetor i tulipanëve në Tokio, megjithëse pati vizitorë që shkuan për të admiruar lulet. Për të penguar përhapje infeksioni mes vizitorëve, autoritetet morën vendimin për t’i prerë lulet në mënyrë që t’u pritej rruga turmave. Në vend të lulëzimit pranveror, tani shihen petale të shtypura me këmbë.
“Po luajmë me jetë njerëzish. Ishte vendim i vështirë, por i domosdoshëm,” tha Takahiro Kogo, zyrtar i qeverisë lokale për parqet.
Facebook Forum