Lidhje

COVID 19, në Shqipëri gjendja e emergjencës deri në Qershor


Në Shqipëri, komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi kërkesën e qeverisë për të shtyrë dhe dy muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli e motivoi këtë kërkesë me faktin se lehtësimi i masave shtrënguese mund të shoqërohet me një rritje të rasteve dhe në një situatë të tillë do të duhet që strukturat shtetërore të jenë në gjendje të reagojnë menjëherë. Opozita kritikoi propozimin. Deri më tani në Shqipëri janë 609 të prekur, ndërsa ditët e fundit dy vatrat e reja në Krujë dhe në Laç po dominojnë numrin e rasteve të zbuluara

Parlamenti shqiptar pritet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së qeverisë për të shtyrë deri në muajin qershor gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Në mbledhjen e zhvilluar përmes një video-konference, Komisioni parlamentar i ligjeve e miratoi të marten, kërkesën, pasi përfaqësuesit e qeverisë shpjeguan se vijimi i gjendjes së emergjencës jo vetëm do të ndihmonte për të mbajtur nën kontroll përhapjen e epidemisë, por dhe do i lejonte qeverisë të ndërmerrte masa të menjëhershme duke qenë se sic shpjegoi zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli me lehtësimin e masave shtrënguese, “specialistët tanë presin që të ketë një numër rastesh të shtuara, sepse një pjesë e njerëzve që janë në shtëpi, janë asimptomatik, dhe dalja e tyre do të krijojë kontakte me me shumë njerëz, dhe një shtim të rasteve”.

Opozita e kritikoi kërkesën e qeverisë. Ish deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se “afati fillestar që parashikon Kushtetuta është 30 ditë dhe shtesa nuk mund të jetë më e gjatë se afati fillestar. Kushtetuta detyron që të merren masa të jashtëzakonshme që fatkeqesia natyrore, qoftë edhe pandemia, të përballen sipas afateve.‎ Nëse nuk mjafton, Qeveria të kërkojë në Parlament zgjatje tjetër 30-ditore, e po nuk mjaftoi shtesa e parë, të arsyetojë dhe kërkojë një tjetër. Afati shërben edhe që të matet efikasiteti i masave. Ndërkohë të mos harrojmë se janë kufizuar të drejta e liri themelore kushtetuese për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, e para liria e lëvizjes”.

Edhe nënkryetari i LSI-së Luan Rama ishte në të njejtën linjë kur në një deklaratë për mediat theksoi se “sot nuk ka më asnjë bazë reale, por edhe asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore që të zgjatet më tej gjendja e fatkeqësisë natyrore, aq më tepër po të kemi parasysh që ka zona të tëra të vendit, ka bashki të tëra në të cilat nuk ka asnjë rast ta shfaqjes së të infektuarve me coronavirus, gjë që do të thotë se nuk ka asnjë arsye as në kuptimin parandaluese, por as në kuptimin e diagnostikimit, as në kuptimin e administrimit te realitetit që atje të ketë kufizime në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Propozimi i qeverisë për të shtyrë dhe dy muaj të tjetër shpalljen e “Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore“ rezulton të jetë tërësisht flagrant dhe në kundërshtim me Kushtetutën, i pambështetur, i pamotivuar dhe i paarsyetuar, jo vetëm nhga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, por edhe nga realiteti faktik”, nënvizoi nënkryetari i LSI-së.

Aktualisht në të gjithë vendin numërohen 609 raste. Por shqetësues shfaqet shpërthimi në tre ditët e fundit i dy vatrave në Krujë e Laç që duket se e kanë burimin te një sipërmarrje e fasonerisë. Nga të 25 rastet e reja të së martës, që të gjitha janë në këto dy qytete.

Ritmi i rasteve të reja ka shënuar sërish ngjitje së fundmi, por për Drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik Albania Fico “pavarësisht luhatjesve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme”, tha ajo.

Deri mesditën e së martës, në të dy spitalet e Tiranës ku trajtohen të sëmurët, janë të shtruar 40 pacientë, numri më i ulët që prej gati një muaji. Prej tyre 5 janë në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe 5 të tjerë po ashtu në terapi intensive.

Për herë të parë që nga fillimi i epidemisë në kryeqytet nuk janë shënuar të infektuar të rinj. Megjithatë Tirana mbetet qyteti me numrin më të të madh të të prekurve, me 253 raste, ose 41 përqind e totalit, e ndjekur nga Shkodra me 99 raste dhe Durrësi me 42 të infektuar. Me rastet e së martë, Kruja bëhet zona e katërt në vend për nga numri i personave me koronavirus, në total 40 të prekur.

Vijon ndërkohë të rritet me shifra të qëndrueshme numri i të shëruarve, i cili është ndjeshëm më i lartë se i të prekurve aktive, 238 persona deri mesditën e sotme .

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG