Lidhje

Shqipëri, tjetër viktimë e koronavirusit


Në Tiranë, një 73 vjeçar, i konfirmuar me COVID 19, humbi jetën mbrëmjen e së hënës së spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se i moshuari ndodhej prej 24 ditësh në gjendje të rëndë, i intubuar, dhe se vuante nga sëmundje të tjera “pneumonia bilaterale, detres i rëndë respirator (ARDS), me sëmundje bashkëshoqëruese Talasemi Minor dhe Hipertension Arterial”.

Të dielën në mëngjes, një tjetër pacient, 60 vjeç, i shtruar në të njejtin spital, humbi jetën. Dhe ai, ishte prej dy javësh në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore, e po ashtu vuante nga sëmundje të tjera. Shkon kështu në 29 numri i viktimave me koronavirus në Shqipëri.

Rastet e reja me koronavirus në 24 orët e fundit ishin në shifra të ulta. Zëvendës-ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli njoftoi të hënë paradite se ishin konfirmuar vetëm 10 të prekur, nga të cilët 9 janë në Tiranë dhe 1 rast i ri në Shkodër. Në total janë 736 personat e infektuar deri më tani.

Kryeqyteti mbetet zona me numrin më të lartë të rasteve, 302, ose 41 përqind të të gjithë të prekurve në vend. Shkodra me 105 raste është në vend të dytë e ndjekur nga Kruja me 92 raste, shumica dërrmuese të zbuluara javën e shkuar. Aktualisht janë vetëm tre qytete, Lezha, Rrogozhina e Tropoja, ku të gjithë të infektuarit janë të shëruar.

Vijon të mbetet në shifra të ulta numri i të shtruarve në të dy spitalet e kryeqytetit, ku deri sot në mesditë ishin 34 pacientë, nga të cilët 2 në gjendje të rënduar dhe 9 të tjerë në terapi intensive. Ndërsa shifrat e personave të cilët konsiderohen të shëruar, mbeten ndjeshëm më të larta se të te prekurve aktivë.

Që prej ditës së sotme, ka nisur lehtësimi i disa masave shtrënguese. Afati kohor i lëvizjes se qytetarëve ka shkuar në 2 orë dhe shumë aktivitete të tjera tregtare janë rihapur. Më i theksuar lehtësimi i masave ka qenë në qarqet ku nuk janë rregjistruar te prekur nga koronavirus, të cilat janë përfshirë në të ashtuquajturat zona të gjelbërta.

Autoritetet megjithatë vazhdojnë të përsërisin thirrjet për nevojën e respktimit të distancimit fizik. “Eshtë e domosdoshme që të ruhet. Nëse nuk do kemi distancim fizim, sëmundja do të përhapet, sepse nuk kemi thënë që është larguar”, tha sot zonja Rakacolli. “Vlerësimi se sa efikase kanë qenë masat e distancimit fizik do të duket pas dy javësh. Nëse nga morespektimi i masave të distancimit, do të kemi rritje rastesh, ka mundësi të kemi edhe kthim pas. Marr shkas dhe një herë për të bërë thirrje që pavarësisht masave të lehtësuara, në biznese të respektohet rregullat e rekomanduara që kanë të bëjnë me higjienën personale dhe atë të mjedisit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG