Lidhje

Banka Botërore: Ballkani rrezikon të bjerë në recesion


Banka Botërore publikoi sot një raport periodik mbi Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit, të gjashtë vendet e këtij rajoni pritet të bien në recesion këtë vit për shkak të pandemisë së COVID-19.

Parashikimi për Shqipërinë është se rritja ekonomike e saj mund të jetë nga - 5 në - 7 për qind. Në rastin e Shqipërisë, krahas pandemisë së marsit ka ndikuar ndjeshëm edhe tërmeti i nëntorit.

Banka Botërore: Ballkani rrezikon recension
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:01 0:00

Banka Botërore parashikoi në raportin periodik se rritja ekonomike rajonale për Ballkanin Perëndimor mund të jetë nga - 3 deri - 5,6 për qind.

Nëse pandemia ngadalësohet dhe masat kufizuese hiqen në fund të qershorit, ekonomia mund ta marrë veten gjysmën e dytë të vitit.

Por nëse pandemia zgjat dhe e shtyn heqjen e masave kufizuese deri në fund të gushtit, atëherë rimëkëmbja e ekonomisë do të shihet në tremujorin e fundit të këtij viti.

Në të gjithë rajonin gjatë pandemisë ka rënë kërkesa e brendshme dhe e jashtme, duke dëmtuar prodhimin dhe investimet, ndërsa kufizimi i udhëtimeve dhe takimeve mes njerëzve ndikuan mbi turizmin dhe shërbimet.

Raporti nënvizon se rececioni i Ballkanit do të varet nga shkalla e recesionit të Europës.

Në rastin e Shqipërisë theksohet se tërmeti i nëntorit dhe pandemia aktuale ishin dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese, që kanë ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë.

Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal dhe të rritin borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar me politika fiskale dhe monetare. Borxhi publik në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është ende i lartë. Po ashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë” - thuhet në raport.

Edhe nëse veprimtaria ekonomike mund të rinisë në fillim të verës, rritja vjetore e ekonomisë së Shqipërisë sërish do të jetë me -5 për qind.

Banka Botërore thotë se kriza aktuale shëndetësore ka zbehur ndjeshëm perspektivën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Ekonomia mund të ndikohet prej ndërprerjeve në zinxhirin global të furnizimit si dhe pakësimit të vendeve të reja të punës për shkak të karantinës dhe distancimit social.

Një tjetër efekt negativ mund të jetë ulja e fitimeve nga puna e punëtorëve, veçanërisht në sektorët më të prekur, si turizmi dhe hoteleria, prodhimi dhe tregtia e artikujve jo jetik.

Ndërprerjet e tregtisë dhe ngurrimi i investitorëve të huaj ndaj rrezikut pritet ta shtojnë presionin ndaj Shqipërisë.

Ajo ka lidhje të ngushta me ekonominë e Italisë, vendi më i prekur në BE. Shqipëria nis drejt Italisë afro gjysmën e eksporteve kombëtare dhe në tërësi ka me vendet e BE-së rreth 95 për qind të eksporteve.

Kështu që, me përhapjen e recesionit në të gjithë BE-në, pritet që goditjet e jashtme ndaj Shqipërisë të jenë më të larta.

Në të njëjtin raport, Banka Botërore tha se ekonomia e Kosovës do të ketë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020 në rast se masat e ndërmarra nga qeveria kundër zgjerimit të koronavirusit do të zbuten deri në fund të muajit qershor.

Ndërkaq nëse kufizimet zgjaten, ekonomia e Kosovës mund të goditet me një rënie prej 11.3 për qind. Në raport thuhet se “shpërthimi i COVID-19 në Kosovë dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar trysni të paparë mbi investimet, konsumin privat, por edhe mbi eksportet dhe dërgesat nga diaspora”.

Banka Botërore thotë se “konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, ndërsa eksportet e shërbimeve dhe investimet do të kërkojnë më shumë kohë”. Zgjatja e pandemisë, thotë raporti, mund të çojë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të ardhurave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG