Lidhje

Shtetet amerikane rihapin disa biznese me masa mbrojtëse ndaj Covid-19


Virus Outbreak Georgia Reopens

Disa shtete amerikane tashmë po lehtësojnë masat kufizuese ndaj Covid-19, duke lejuar hapjen e bizneseve, pavarësisht shqetësimeve se numri i rasteve në vend vazhdon të rritet. Mbi 58,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, dhe gati një milion të tjerë janë infektuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton se guvernatorët e shteteve po përpiqen të balancojnë kërcënimin ndaj shëndetit publik me koston e rëndë ekonomike të mbylljes që ka lënë pa punë mbi 26 milionë amerikanë në muajin e fundit.

Palestrat, floktoret dhe restorantet janë ndër bizneset jo thelbësore që janë rihapur në Xhorxhia, shteti i parë amerikan që ndërmori hapa të mëdha për rihapjen e ekonomisë.

Megjithatë, këto biznese janë të detyruara të zbatojnë udhëzimet për distancim fizik, të dezinfektojnë mjediset e punës dhe duhet të kontrollojnë punonjësit për simptoma të koronavirusit, si temperatura e lartë.

"Ne po kontrollojmë temperaturën e punonjësve, u kërkojmë klientëve që plotësojnë një pyetësor para çdo shërbimi, dhe i lajmë duart", thotë Shannon Stafford, pronare e floktores New Era Hair Studio.

Por numri i të infektuarve me koronavirus në Xhorxhia është ende duke u rritur.

Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se përpjekja për të lehtësuar pasojat ekonomike nga masat e hershme kufizuese, rrezikon të shkaktoj një shpërthim më të rëndë të virusit vdekjeprurës.

"Me hapjen e ekonomisë ne po ekspozojmë njerëzit që nuk e njohin imunitetin e tyre, domethënë ata që nuk kanë antitrupa ndaj virusit ose nuk janë prekur nga virusi, që në fund mund të çojë në rritje të numrit të viktimave dhe numrit të pacientëve nëpër spitale", tha Dr. Jason Farley, epidemiolog në Universitetin Johns Hopkins.

Në mbarë vendin kanë shpërthyer protesta të amerikanëve që duan të kthehen në vendet e tyre të punës. Megjithatë, sondazhet tregojnë se ka një mbështetje të fortë të publikut për masat kufizuese për bizneset dhe tubimet e mëdha për të vënë nën kontroll pandeminë, derisa të zhvillohet një trajtim efektiv ose një vaksinë.

Presidenti Donald Trump ua ka lënë në dorë shteteve që të vendosin se kur do të rihapin ekonominë. Të hënën, ai njoftoi udhëzime të reja për të ndihmuar në rihapjen e bizneseve në mënyrë të sigurt dhe rritjen e kapacitetit të testimeve në shkallë vendi.

“Siguria ekonomike është jetike për sigurinë shëndetësore të vendit tonë. Këto qëllime funksionojnë së bashku, krah për krah me njëri-tjetrin."

Disa shtete të tjera gjithashtu po lejojnë rihapjen e bizneseve të caktuara, pasi humbja e një numri të madh të vendeve të punës dhe boshllëqet në ndihmën e qeverisë për papunësinë kanë lënë shumë njerëz pa para të mjaftueshme për të paguar për ushqime dhe qiranë. Por ky mund të jetë një proces i ngadaltë, thonë ekspertët.

Dr William Schaffner, Profesor i Sëmundjeve Infektive, Qendra Mjekësore e Universitetit të Vanderbiltit -skype

"Ne duhet ta bëjmë këtë gradualisht për të parë nëse mund ta përballojmë atë apo befas do të kemi një rritje të re të infektimeve me Covid-19. Ky do të jetë një veprim delikat balancimi”, tha Dr William Schaffner, Profesor i Sëmundjeve Infektive, Qendra Mjekësore e Universitetit të Vanderbiltit.

Në Nju Jork, epiqendra e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, Guvernatori Andrew Cuomo tha se shteti po zhvillon një plan me faza për të rihapur ekonominë bazuar në udhëzimet nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve. Së pari, shtetet duhet të shohin një periudhë të qëndrueshme të zvogëlimit të rasteve me COVID-19, të pasuar nga shtimi i numrit të testimeve dhe vlerësimi i rrezikut.

"Ne do të lëmë dy javë midis fazave, në mënyrë që të monitorojmë efektin e vendimeve tona. Veprimet e ndërmarra duhet të monitorohen."

Ndërsa disa biznese fillojnë të rihapen, përhapja e virusit ka detyruar mbylljen e bizneseve të tjera. Një rritje e infeksioneve me koronavirus në industrinë e paketimit të mishit ka mbyllur disa fabrika, duke shkaktuar probleme në zinxhirin e furnizimit që mund të çojnë në mungesa të ushqimit dhe çmime më të larta të mishit

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG