Lidhje

Izolimi i virusit, një plan për të vënë nën kontroll Covid-19


Departamenti i shëndetësisë i qytetit të Nju Jorkut është një nga më të mirët në botë. Megjithatë, ai ishte mbingarkuar nga numri i madh i rasteve me Covid-19. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Dr. Tom Frieden, ish komisioner shëndetësor i Nju Jorkut, më vonë shef i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe tani president i një programi global me qendër në Nju Jork foli mbi zhvillimet e fundit në qytetin e Nju Jorkut.

"Unë jam lindur në qytetin e Nju Jorkut dhe isha student i mjekësisë këtu në kulmin e epidemisë së sidës. Unë mbarova studimet dhe trajnimin për mjekësi dhe shëndetin publik këtu, gjithashtu, në kulmin e epidemisë së virusit AIDS në vitet 1980. Unë fillova karrierën time profesionale si një Zyrtar i Shërbimit të Inteligjencës Epidemike këtu në qytetin e Nju Jorkut", tha Dr. Tom Frieden, president i organizatës jo-fitimprurëse Zgjidhje për të Shpëtuar Jetë.

Nju Jorku, qyteti i Dr. Tom Frieden-it duket shumë më ndryshe sot në mes të pandemisë së koronavirusit.

"Unë jam njujorkez dhe jam zemërthyer. Duke ditur numrin e punonjësve të kujdesit shëndetësor të infektuar, numrin e atyre që humbën jetën, numrin e njerëzve të tjerë që kanë humbur jetën. Çdo ditë nëpër gazeta, ne shohim vetëm një pjesë e vogël të lajmërimeve të vdekjeve.”

Aktualisht, ka testime vetëm për të parë se kush e ka virusin. Nuk ka asnjë trajtim për virusin dhe asnjë vaksinë kundër tij. Për të shpëtuar jetë, Dr. Frieden thotë se shoqëritë duhet të ndjekin udhëheqjen e ekspertëve të shëndetit publik.

"Departamentet e Shëndetësisë mund të shkallëzojnë mjetet e tyre tradicionale të testimit, izolimit, gjurmimit të kontakteve dhe karantinës. Nëse i zbatoni këto katër gjëra siç duhet, ju mund ta izoloni virusin. Duke izoluar virusin, ju mund të zvogëloni numrin e rasteve, të parandaloni shpërthimin e tij në grupime dhe shndërrimin e tij në epidemi, si dhe të zgjeroni hapësirën për rikthimin e të gjithë njerëzve në shoqëri".

Megjithatë, virusi do të vazhdojë të ekzistoj dhe do të jetë akoma i rrezikshëm.

"Askush nuk duhet ta nënvlerësojë faktin se sa vdekjeprurës mund të jetë ky virus."

Edhe pasi të ketë mbaruar vala më e rëndë kësaj pandemie, njerëzit do të duhet të marrin masa të duhura sepse nëse nuk janë të kujdesshëm, paralajmëron Frieden, virusi do të rikthehet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG