Nënpresidenti amerikan Mike Pence përdori maskën të enjten gjatë një vizite që i bëri një fabrike të kompanisë General Motors dhe Ventec, e cila tani po prodhon respiratorë në Indiana. Në fillim të kësaj jave, Nënpresideteni Pence u kritikua për mos përdorim të maskës gjatë një vizite në Klinikën Mayo.
Fabrika e General Motors dhe kompanisë Ventec në qytetin e Kokomos ishte mbyllur për shkak të koronavirusit, por u rihap në mes të prillit për të prodhuar repriratorë, që tani janë pajisje kritike për spitalet në të gjithë vendin. General Motors e ka bërë të detyrueshëm veshjen e maskave për punëtorët e kësaj fabrike, sipas zëdhënësit Jim Cain.
Nënpresidenti Pence hoqi maskën, megjithatë, gjatë takimit me zyrtarë të lartë të kompanisë, përfshirë Drejtoren e saj Ekzekutive, Mary Barra dhe Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë Ventec, Chris Kiple. Asnjëri nga pjesëmarrësit në këtë takim nuk kishte vendosur maska.
Vizita e Nënpresidentit Pence në fabrikë erdhi disa orë pasi bashkëshortja e tij, Karen Pence, mbrojti vendimin e tij për të mos veshur maskë gjatë një vizite të së martës në klinikën Mayo në Roçester të Minesotës.
Zonja Pence i tha kanalit Fox News se kishte qenë në dijeni të politikës së koronavirusit në spital gjatë vizitës dhe se Nënpresidenti ka ndjekur këshillat e ekspertëve mjekësorë. Nënpresidenti Pence, ashtu si zyrtarët e tjerë të lartë të personelit të Shtëpisë së Bardhë, testohet për koronavirus të paktën një herë në javë.
"Siç na kanë thënë ekspertët tanë mjekësorë, përdorimi i maskës pengon përhapjen e sëmundjes. Pasi ai e dinte që nuk ishte i infektuar me Covid-19, ai nuk e vuri maskën," tha zonja Pence, duke shtuar se "në të vërtetë pasi u largua nga klinika Mayo ai (Mike Pence) mësoi se ata kishin një rregull për përdorimin e maskave”.
"Pra, një njeri që ka punuar në këtë grup pune për më shumë se dy muaj nuk do të kishte bërë ndonjë gjë për të ofenduar apo frikësuar dikë," tha ajo.
Klinika Mayo më herët kishte postuar, dhe më pas e kishte fshirë, një mesazh në Twitter ku thoshte se e kishte njoftuar Nënpresidentin për "politikën e përdorimin e maskave para ardhjes së tij".
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që amerikanët të përdorin maska mjekësore ose shtëpiake në mjedise publike ku është e vështirë të zbatohen masat e distancimit fizik, si në supermarkete, dhe veçanërisht në qendra të komuniteteve me shanse të larta të përhapjes së virusit.
Presidenti Donald Trump ka shprehur vazhdimisht siklet në lidhje me vendosjen e maskës, duke thënë se ai nuk ka ndërmend të bëjë këtë, kur u njoftuan rekomandimet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Por,ai tha të enjten se ai do të ishte i hapur ta vendoste maskën gjatë vizitës së tij në Arizona javën e ardhshme.
"Unë do të shoh se si është klima. Nuk kam problem me përdorimin e maskës", tha Presidenti Trump.
Megjithatë ai i pyeti gazetarët nëse do të ishte e përshtatshme që ai të përdorte maskën gjatë një fjalimi.
Ai pyeti gazetarët "A duhet të flas me maskë?" Duke shtuar, "Më thoni nëse kjo do të ishte politikisht korrekte. Nuk e di. Nëse është, unë do të flas me maskë." Presidenti Trump ka shkelur hapur normat politike dhe krenohet me jo-korrektësinë e tij politike.
Në pamjet nga vizita e Nënpresidentit Pence në Klinikën Mayo në fillim të kësaj jave ai shihet pa maskë ndërsa takonte një punonjës që ishte shëruar nga virusi, edhe pse të gjithë të tjerët në dhomë ishin me maska. Ai gjithashtu mori pjesë në një takim pa maskë, në të cilën çdo pjesëmarrës, që nga shefi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, Stephen Hahn, deri te guvernatori i shtetit, ishin me maska.
Nënpresidenti Pence e shpjegoi vendimin e tij atë ditë duke theksuar se ai testohet shpesh për koronavirusin.
"Si Nënpresident i Shteteve të Bashkuara testohem rregullisht për koronavirusin, dhe të gjithë ata që janë rreth meje testohen për koronavirusin", tha zoti Pence. "Dhe meqenëse nuk kam koronavirus, unë mendova se do të ishte një mundësi e mirë për mua të jem këtu, të jem në gjendje të flas me këta studiues, këtë personel të shkëlqyer të kujdesit shëndetësor, t'i shikoj në sy dhe t’u them" faleminderit.'"
Por, edhe me maskë, Pence do të kishte mundësi të shikonte punonjësit e kujdesit shëndetësor në sy pasi maska mbulon vetëm hundën dhe gojën.
Guvernatori demokrat i Minesotës, Tim Walz, i cili përdori maskën ndërsa shoqëroi Nënpresidentin Pence gjatë vizitës së tij në Klinikën Mayo, tha se e vlerëson faktin që zoti Pence vuri maskën gjatë vizitës së tij në Indiana të enjten.
"Gjesti i thjeshtë i përdorimit të maskës në publik ka një efekt të madh," tha guvernatori Walz.
Personat që hyjnë në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë u nënshtrohen kontrollimit të temperaturës, dhe ata që do të jenë në afërsi të Presidentit dhe Nënpresidentit testohen për Covid-19 (me metoda të shpejta të testimit) për t’u siguruar që nuk janë të infektuar.
Edhe anëtarët e lartë të personelit të Shtëpisë së Bardhë testohen rregullisht në mënyrë që infeksionet e mundshme të zbulohen shpejt.
Facebook Forum