Lidhje

Shqipëri, rastet e reja me koronavirus mbeten të kufizuara


Në Shqipëri, prej më shumë se një jave rastet e reja me koronavirus, vijojnë të mbeten të kufizuara. Të dhënat e sotme të ministrisë së Shëndetësisë flasin për vetëm 6 të prekur, ndërsa numri i përgjithshëm që nga fillimi i pandemisë është 795 persona.

Përveç një rasti në Tiranë 5 të tjerët janë në Krujë dhe Laç. Këto janë dhe zonat që aktualisht kanë numrin më të lartë të të infektuarve aktivë. Së bashku me Shkodrën ato zënë mbi 93 përqind të totalit. Në 8 qytete të tjera, rastet aktive numërohen me gishtat e dorës.

Sipas autoriteteve shëndetësore, pjesa më e madhe e personave të prekur nuk kanë shfaqur simptoma, ndërsa numri i të shtruarve në spitale ka mbetur thuajse në të njejtat nivele, 33 pacientë, nga të cilët 7 janë në terapi intensive.

Nga ana tjetër, shifrat ditore të të shëruarve vazhdojnë të jenë më të larta se ato të të infektuarve rishtazi. Atualisht 67 përqind e të prekurve kanë dalë negativë në dy teste radhazi.

Ndërsa dhe në këtë fundjavë, pati hapësira lëvizjeje për pensionistët dhe nënat me fëmijë, nga nesër do të shtohen zonat e gjelbra, ku masat kufizuese janë më të lehtësuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG