Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong Un u rishfaq duke buzëqeshur në publik të shtunën për herë të parë pas 21 ditësh, pas një vale spekullimesh intensive se ishte i sëmurë rëndë, ose madje edhe që mund të kishte vdekur.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo njofton nga Seuli i Koresë së Jugut, se ridalja në skenë e Kim-it është një kujtesë se sa pak dihet për zhvillimet në Korenë e Veriut.
Kim Jong Un, u rishfaq i gjallë, pas disa javësh spekullimesh se mund të ishte sëmurë, ose kishte vdekur. Kim mori pjesë në një ceremoni inaugurimi për një kompleks fertilizuesish.
Media shtetërore nuk përmendi spekullimet. Kim nuk shfaqi shenja problemesh me shëndetin, por herë pas here lëvizte me karrocë.
Zërat për shëndetin e tij filluan të shfaqen kur nuk mori pjesë në një përvjetor të rëndësishëm më 15 prill, duke habitur zyrtarët amerikanë dhe të tjerë.
Presidenti amerikan Donald Trump që fillimisht nuk kishte pranuar të komentonte për lajmet se Kim ishte rishfaqur, tha të shtunën në Twitter se ishte “i gëzuar” që ai mesa duket ishte mirë me shëndet.
Megjithëse arsyeja për mungesën e Kimit nuk është e qartë, nuk është as hera e parë që ai zhduket dhe as mungesa më e gjatë.
Në janar, ai u zhduk për 21 ditë. Në maj, për 22 ditë. Në shtator 2014, ai nuk u shfaq për 40 ditë.
Në vitin 2014, Kim u rishfaq me një bastun. Media shtetërore thjesht tha se ai nuk ndjehej “mirë”.
Këtë herë, Koreja e Veriut as shkarazi nuk përmendi shëndetin.
Sipas medias, ai mund të ketë pasur një operacion pa sukses në zemër. Të tjerë thonë është veshka. Një njoftim fliste për depresion.
Sipas një tjetri, ai ishte lënduar në një provë të dështuar me raketë. Një kujtesë se sa pak dihet për udhëheqësit koreano-veriorë.
“Kur isha në CIA, ne thonim se Koreja e Veriut ishte objektivi më i vështirë. Unë kisha punuar edhe me Bashkimin Sovjetik dhe Bashkimi Sovjetik ishte një libër i hapur krahasuar me Korenë e Veriut”, thotë Bruce Klingner, ekspert i Koresë së Veriut në Fondacionin Heritage.
Kim mund të ketë qenë sëmurë dhe disa nga zërat mund të jenë të vërtetë, por analistët bëjnë thirrje për përmbajtje.
“Është shumë e vështirë të marrësh informacion për shëndetin,vendndodhjen apo synimet e udhëheqjes. Në fakt të gjitha burimet e zbulimit kanë kufizime të veçanta përsa i takon Koresë së Veriut”, thotë Klingner.
Tani për tani, ajo që dihet është që Kim është gjallë.
Facebook Forum