Lidhje

Disa vende raportojnë rritje të rasteve me COVID-19, ndërsa lehtësohen kufizimet


Ndërsa me miliona njerëz po shfrytëzojnë mundësinë për të shijuar motin pranveror për shkak të lehtësimit të masave kufizuese, disa nga vendet më të populluara në botë, raportuan rritje shqetësuese të numrit të infeksione të dielën, mes tyre India, që shënoi sot rritjen më të madhe ditore.

India, e dyta në botë për nga numri i popullsisë pas Kinës, raportoi më shumë se 2,600 infeksione të reja. Edhe në Rusi, rastet e reja me koronavirus i tejkaluan të 10 mijë vetët për herë të parë.

Numri i konfirmuar i vdekjeve në Britani u rrit duke iu afruar Italisë, epiqendra e shpërthimit në Evropë, edhe pse popullsia britanike është më e re në moshë sesa ajo italiane apo edhe pse kishte më shumë kohë për t'u përballur me pandeminë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë me dhjetëra mijëra infeksione të reja çdo ditë, ndërkohë vetëm të shtunën u raportuan më shumë se 1.400 vdekje të tjera. Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se një valë e dytë e infeksionit mund të godasë sërisht nëse me lehtësimin e masave kufizuese nuk zgjerohet në mënyrë dramatike edhe testimi. Por presioni për të rihapur ekonomitë vazhdon pas mbylljes me javë të tëra të bizneseve në të gjithë botën, duke e zhytur ekonominë globale në rënien e saj më të thellë që nga vitet '30 dhe zhdukur me miliona vende pune.

Kina, e cila raportoi vetëm dy raste të reja, ka pasur një rritje të vizitorëve në pikat turstike të hapura me lehtësimin e kufizimeve vendosur udhëtimeve brenda vendit përpara një feste pesë-ditore që zgjat deri të martën. Gati 1.7 milionë njerëz vizituan parqet e Pekinit në dy ditët e para të festës dhe pikat kryesore turistike të Shangait pritën më shumë se 1 milion vizitorë, sipas medias kineze. Shumë pika turistike e kufizuan numrin e vizitorëve çdo ditë në 30 për qind të kapacitetit të tyre. Ndërkohë italianët po numërojnë orët deri në rihapje, duke nisur nga e hëna, të parqeve dhe kopshteve publike. Falë diellit e temperaturave të ngrohta në të gjithë vendin, shumë njerëz dolën jashtë, duke ecur nëpër rrugë dhe biseduar nëpër trotuare. Pavarësisht lehtësimit, italianët duhet të vazhdojnë të ruajnë distancën fizike nga njeri-tjetri.

Si një tregues se sëmundja ka ende nën kontroll të fortë disa zona, në spitaline sëmundjeve infektive të Romës u shtruan sot 28 pacientë me COVID-19 që i përkisnin një shtëpie pleqsh.

Në Spanjë, shumë vetë dolën jashtë për herë të parë që nga bllokimi i vendit më 14 mars, por rregullat e distancimit shoqëror mbetën në fuqi. Maska është e detyrueshme duke filluar nga e hëna në shërbimet e transportit publik.

Në Britani, Kryeministri Boris Johnson ndodhet nën presion për të njoftuar planet se si parashikon të lehtësojë kufizimet që kanë nisur më 23 Mars. Kufizimet do të zgjasin deri të enjten, por në kushtet kur çdo ditë po raportohen me qindra vdekje, dy herë më shumë sesa Italia apo Spanja, mbetet e paqartë se si vendi mund të lehtësojë kufizimet duke garantuar siguri për popullatën.

Një tjetër shenjë potencialisht shqetësuese u shfaq në kryeqytetin e Afganistanit, në Kabul, ku një e treta e 500 personave të përzgjedhur rastësisht për t'u testuar, rezultuan pozitivë ndaj virusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG