Lidhje

Shqipëri: Epidemia COVID-19 solli sfidën e garantimit të lirive njerëzore


Edhe sot në Shqipëri, ashtu si prej disa ditësh u regjistruan raste minimale të të prekurve të rinj me COVID-19.

Janë vetëm 8 raste të reja të zbuluara në Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Nga dita e sotme nisi një lehtësim i mëtejshëm i masave shtrënguese, me hapjen e shumicës së bizneseve, shtimin e zonave të gjelbërta, lejimin e shërbimit taksive.

Por kthimi në normalitet nuk do të jetë i lehtë, mendojnë, studiuesit dhe shumë gjëra nuk do të jenë më si më parë.

Sociologu Gëzim Tushi thotë se pas kësaj karantine, shoqëria shqiptare do të rivlerësojë liritë dhe të drejtat njerëzore.

Zoti Tushi thotë se pandemia ndikoi fuqishën dhe do të lërë gjurmë në jetën e shoqërisë shqiptare, duke nisur nga ndryshimi e traditave miqësore të komunikimit mes njerëzve.

Shoqëria shqiptare pranoi rrezikun, sipas tij, dhe u soll në mënyrë të qytetëruar në përballimin e tyre.

Qytetarët mbrojtën jetën dhe familjen e tyre, rivlerësuan rëndësinë që ka familja, puna dhe elementë të tjerë të jetës së tyre, të gjendur nën trysninë e masave shtrënguese.

“Asgjë nuk do të jetë më si ka qenë më parë. Të gjitha do të ndryshojnë, edhe marrëdhëniet e njeriut me punën, tregun e punës dhe profesionin, marrëdhëniet me institucionet e sigurisë morale dhe institucionet e tjera si spitalet, shkollat, administrata etj do të ndryshojnë. Kjo do të ketë vështirësitë e veta sepse njerëzit kanë një mpirje, frikë dhe kanë pësuar trauma gjatë kësaj periudhe, ayre u janë shtuar frikërat dhe pasiguritë për të nesërmen” - tha zoti Tushi.

Në emër të mbrojtjes së jetës gjatë epidemisë, shoqërisë dhe individëve iu cënuan disa liri dhe të drejta njerëzore, të cilat duhet të rivlerësohen e duhen kthyer edhe ato në normalitet, me kapërcimin e kësaj gjendje të jashtëzakonshme, tha sociologu Tushi.


“Pasi të kalojë COVID-19 duhet të kthehen standartet normale të respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Unë mendoj që COVID-19 po na jep një mësim shumë të madh: Ne duhet të kemi shumë kujdes tek fakti që liritë tona i kemi të garantuara në marrëdhënie jo me institucionet, por në marrëdhënie me individët, që përfaqësojnë institucionet. Shumë liri e të drejta ne i lidhim me policin konkret, me mjekun si individ, me nëpunësin e përveçëm në administratë, me ministrin, me kryeministrin. Që të garantojmë këto liri e të drejta, pas COVID-19, ne na duhet që të forcojmë institucionet” - thotë sociologu Tushi.

Gjatë këtyre dy muajve, thotë zoti Tushi, ndodhi një revolucion në sjelljet e shoqërisë shqiptare me teknologjitë e komunikimit, duke siguruar të gjitha moshat përmes tyre punën, studimin, mjekimin madje edhe ushqimin.

Por vëmendja, sipas tij, duhet fokusuar tek garantimi i lirive dhe të drejtave njerëzore, tek jeta me dinjitet, e cila qëndron mbi ndërlikimet teknologjike.

“Ky është kusht i domosdoshëm. Sosiologët sot thonë: që të garantohen liritë dhe të drejtat e njeriut, duhet ta shpëtojmë njeriun nga marrëdhëniet dhe varësitë me individin konkret në administratë. Ne kemi nevojë për një grup institucionesh themelore: për institucionet e sigurisë morale, për institucionet e sigurisë sociale, dhe për institucione të tjera të arsimit dhe shëndetësisë. Ky është një revolucion shumë i madh. Unë mendoj se shoqëria shqiptare duhet të përparojë në këtë rrugë, pas COVID-19, nëse kërkon vërtet të garantojë liritë dhe të drejtat njerëzore në formë të inpersonalizuar, pra në formë institucionale” - tha zoti Tushi.

Shqipëria e kapërceu këtë fazë të parë të epidemisë COVID-19 me 31 te vdekur dhe 800 të infektuar. Ndërkohë rreth 70 për qind e tyre vlerësohen si të shëruar. Deri tani vetëm 30 për qind, ose afro 230 vetë janë ende të sëmurë aktivë me Covid-19.

Megjithatë pasojat e kësj epidemie në shoqërinë shqiptare pritet të jenë të rënda duke nisur nga papunësia, varfëria dhe çekuilbrimi i ekonomisë, e deri te pasiguria sociale dhe traumat familjare e individuale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG