Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave Stephen Hahn është futur në vetëizolim për dy javë pasi ka pasur kontakte me një person që është testuar pozitiv me COVID-19. Lajmi u konfirmua për agjencinë “Reuters” nga një zëdhënës i këtij institucioni, të premten në mbrëmje.
Zoti Hahn u testua menjëherë, por rezultoi të ishte negativ ndaj koronavirusin thuhej në një deklaratë të lëshuar me email nga zëdhënësi Michael Felberbaum.
"Siç shkruante Dr. Hahn në një shënim për stafin sot, ai kohët e fundit ka ndërvepruar me një person të infektuar nga COVID-19. Sipas udhëzimeve të CDC-së, ai tashmë ndodhet në vetëizolim për dy javët e ardhshme", tha zëdhënësi i Administratës së Ushqimit dhe Barnave.
“Politico” njoftoi më herët se ishte Katie Miller, sekretarja e shtypit e Nënpresidentit Mike Pence, me të cilin zoti Hahn kishte pasur kontakte. I pyetur nga “Reuters” për detaje mbi këtë çështje, në deklaratën e nisur me email nuk përmendej emri i personit që ishte testuar pozitivisht me COVID-19 dhe me të cilin ishte takuar komisioneri Hahn.
Zonja Miller, e cila gjithashtu është edhe bashkëshortja e një prej këshilltarëve të lartë të Presidentit Donald Trump, u testua pozitive ndaj virusit të premten, duke ngritur alarmin për përhapjen e mundshme të virusit brenda rrethit më të ngushtë të Shtëpisë së Bardhë.
Diagnoza e zonjës Miller, i cila është martuar me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për çështje të emigracionit Stephen Miller, u bë publik nga zoti Trump në një takim me ligjvënësit republikanë të premten.
Facebook Forum