Në Shqipëri zbulohen në 24 orët e fundit edhe 12 raste të reja me Covid-19 në Tiranë, Kamëz, Krujë dhe në Fier.
“Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive” - tha Gentiana Qirjako eksperte nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ajo tha se gjatë ditëve të fundit u shënua një përmirësim i situatës edhe në spitale. Në dy spitalet COVID janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive.
Sot janë 187 persona të infektuar aktivë në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, ndërsa janë shëruar 650 të tjerë, ose 75 për qind e numrit të përgjithshëm të të prekurve.
Autoritetet po shpallin nga e hëna edhe 14 bashki të tjera si zona të gjelbëra, si dhe lehtësim masash qarkullimi për qarkullimin e banorëve dhe mjeteve.
Në këto zona do të lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbërta me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje.
Bizneset si klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare do të lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas rregullave të sigurisë.
Nga 11 marsi kur vdiq pacientja e parë deri sot, sipas statistikave zyrtare, në dy muaj epidemia Covid-19 u mori jetën 31 qytetarëve, mesatarisht një person në dy ditë dhe infektoi 868 të tjerë. Zonat më të prekura janë kryeqyteti, Tirana, Kruja dhe Shkodra.
Facebook Forum