Lidhje

Shkodër: Organizata shqiptaro-amerikane dhuron karrige me rrota


Në fshatin Grudë e Re të Shkodrës janë bashkuar përfaqësuesit e shoqatave të paratetraplegjikëve të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe për të tërhequr rreth 20 karrige me rrota, të dhuruara nga qytetarët amerikanë për personat me aftësi të kufizuara. Koordinatori i shoqatës shqiptaro-amerikane “Dora e Hapur”, Luigj Gega, thotë se kjo është një mbështetje e qytetarëve amerikanë.

Shkodër: Organizata shqiptaro-amerikane dhuron karrige me rrota
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

"Këto janë ndihma të dërguara nga organizata shqiptaro-amerikane 'Duart e Hapura' me president zotin Aleksandër Nilaj. Janë kontigjenti i disatë që vjen me ndihma si vlera monetare, ushqime etj. me të cilat u jemi gjetur afër familjeve në nevojë. Ne i kemi ba kërkesë zotit Aleksandër për karrige me rrota për përsonat me aftësi të kufizuar dhe qytetarët amerikanë kanë dhuru këto karrike me rrota."

Megjithëse në karrige me rrota, Saimir Beqiri, drejton prej disa vitesh shoqatën e paratetraplegjikëve të Shkodrës. Ai thotë se periudha e pandemisë, që po vazhdon prej gati dy muajsh, e ka vështirësuar më tej jetën e përsonave me aftësi të kufizuar. Ndaj, mbështetja që po u japin me karrige lëvizëse qytetarët amerikanë, është një ndihmë e veçantë për ta.

"Unë kam ardhur sot me marrë katër karrige me rrota për katër anëtarë të shoqatës që, për momentin, janë pa karrige me rrota pasi një pjesë, thuajse 90 përqind, i kemi paisë. Por, shtohen dita-ditës, sepse sëmundjet bëjnë punën e vet dhe dalin raste të reja."

Drejtuesi i shoqatës së paratetraplegjikëve në Malësi të Madhe, Shpëtim Rrinaj, thotë se, për vetë vështirësitë e zonës malore të Malësisë së Madhe, kërkohet më shumë vemendje ndaj përsonave me aftësi të kufizuara.

"Në Malësi të Madhe janë pothuajse 110 persona me status të veçantë. Ata vuajnë për mjete lëvizëse; karrike me rrota, me bateri, por edhe për informacion. Përsa i përket paraplegjikëve të izolum plotësisht, ata kanë nevojë për mjete lëvizëse dhe ne u bëjmë thirrje shoqatave të ndryshme, donatorëve të huaj, por edhe bashkisë, që t’i mbështesin ata."

Shoqata, por edhe qytetarë nga Amerika dhe Europa, vazhdojnë të mbështesin përsonat me aftësi ndryshe në Shqipëri duke dërguar për ta jo vetëm paisje të nevojshme, por edhe ndihma të tjera materiale dhe financiare. Por, Saimiri thotë se në dogana ka ende burrokraci dhe pengesa për ndihmat që vijnë nga jashtë për përsonat me aftësi të kufizuara.

"Ne kemi gjetë edhe donatorë të tjerë, që janë shumë të gatshëm me na ndihmu, por kemi ndesh me probleme në dogana në një kohë kur këto ndihma vijnë për përsonat me aftësi të kufizuara. Dhe janë gjana që shikohen. Mendoj se asht gabim kjo gja. Ata duhet me thanë shyqyr që dikush i bjen, sepse këtu vetëm shoqatat ndihmojnë, dikush na bjen një korracë, dikush një ndihmë tjetër."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG