Lidhje

Interpoli nxjerr Njoftim të Kuq për gruan a diplomatit amerikan


Interpoli ka identifikuar si person të kërkuar gruan e një diplomati amerikan, lidhur me një aksident vdekjeprurës në Angli.

Interpoli nxori njoftimin për Anne Sacoolas, e cila kërkohet si autore e një aksidenti vjet në verë që la të vdekur një të ri britanik dhe solli acarime mes Londrës dhe Uashingtonit.

"Një Njoftim i Kuq është nxjerrë nga Interpoli për 42-vjeçaren Anne Sacoolas, gruaja e një punonjësi të shërbimeve të zbulimit me detyrë në misionin diplomatik amerikan lidhur me vdekjen e adoleshentit Harry Dunn si rezultat i ngarjes së makinës në mënyrë të rrezikshme,” njofton një gazetar i kanalit ITV përmes Twitterit.

Njoftimi i Kuq është sinjal për agjencitë e rendit në mbarë botën për të ndaluar dhe dorëzuar zonjën Sacoolas, e cila të ekstradohet në Angli për t’u përballur me drejtësinë. Interpoli nxjerr njoftime të tilla pasi merr kërkesë nga vendet anëtare. Këto njoftime nuk janë të njëjta me urdhrat ndërkombëtare të arrestit.

Në janar Britania kritikoi ShBA se nuk po ekstradonte zonjën Sacoolas, duke thënë se ky veprim rezultonte në “mohim të drejtësisë”.

Departamenti i Shtetit thotë se zonja Sacoolas gëzon imunitet diplomatik.

Në tetor vjet, Presidenti Trump ftoi prindërit e viktimës në Shtëpinë e Bardhë dhe u përpoq pa sukses t’i bindte të takoheshin me zonjën Sacoolas. Ata nuk ishin informuar më para se ajo do të ishte në Shtëpinë e Bardhë gjatë vizitës së tyre.

19-vjeçari Harry Dunn po ngiste motoçikletën kur u godit dhe u vra nga një makinë. Zonja Sacoolas akuzohet se ishte ajo që po ngiste makinën që goditi adoleshentin. Sipas disa raportimeve, ajo mund të ketë qenë duke ngarë makinën në anën e djathtë, që në Angli është ana e gabuar e rrugës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG