Lidhje

Maqedoni e Veriut, bashkësia fetare islame vendos të hapë xhamitë


Të martën në Maqedoninë e Veriut hapen xhamitë për besimtarët myslimanë. Bashkësia fetare islame e mori vendimin para pak ditësh, si rrjedhojë e një tubimi me rastin e një liturgjie ortodokse në rrugët e Strugës për Shën Gjergjin. Bashkësia islame vlerëson se shkalla e rrezikut nga koronavirusi është ulur, ndërsa thekson se ka ndërmarrë masa për mbrojtjen e besimtarëve të cilët do të shkojnë për t’u falur në xhami. Besimtarët duhet të ruajnë distancën fizike e të mbajnë maska. Gjithashtu ata inkurajohen të përdorin më tepër oborret e xhamive dhe të sjellin me vete shtrojë personale për kryerjen e lutjeve si dhe pastrimin (abdesin) ta bëjnë në shtëpi e jo në çezmat e xhamive.

Autoritetet qeveritare ndërkohë, theksojnë shqetësimin se një grumbullim i tillë i njerëzve do të ndikojë tek përhapja e koronavirusit dhe do ta vërë në rrezik sistemin shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bëri të ditur se në 24 orët e fundit është regjistruar një viktimë, 10 raste të reja dhe 5 pacientë të shëruar nga COVID-19. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 92, që flet se Maqedonia e Veriut është ndër më të prekurat në Ballkan.

Ministri Filipçe tha se Komisioni për Mbrojtjen nga Sëmundjet Ngjitëse ka përgatitur një plan për lehtësimin me faza të masave kufizuese, duke paralajmëruar hapjen e objekteve që shërbejnë si magazinave, ambjenteve sportive dhe për aktivitete të tjera, ndërsa tha se restorantet do të hapen javën e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG