Lidhje

Shqipëri, rastet e reja me COVID 19 në kuota minimale


Në Shqipëri, rastet e reja me koronavirus vijojnë të mbeten në kuota minimale. Të martën autoritetet njoftuan se në 24 orët e fundit, nga 243 testime, janë konfirmuar vetëm 4 persona të prekur rishtazi. Bëhet fjalë për dy raste në Tiranë dhe 1 në Krujë, dy zonat që janë me shifrat më të larta të rasteve aktive. Rasti i katërt është në Berat, qytet i cili u përfshi në listën e zonave të gjelbërta. Që nga fillimi i pandemisë, në total numri i personave pozitiv ndaj COVID-19 është 876.

Në rënie edhe numri i atyre që kërkojnë trajtim në spital. Sipas të dhënave të përditësuara, janë gjithsej 24 pacientë nga të cilët vetëm njëri është në terapi intensive. Në ndërkohë, të shëruarit po shtohen me ritme të larta. Pasi në 24 orët e fundit, 28 persona të tjerë u deklaruan negativë, numri i të shëruarve është ngjitur në 682, ose rreth 78 përqind e të gjithë të prekurve.

Shifrat duken premtuese, duke marrë në konsideratë faktin se prej gati 10 ditësh kanë nisur të zbatohen masa lehtësuese. Por ministria e Shëndetësisë theksoi sot sërish se “pavarësisht situatës së përmirësuar, është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG