Lidhje

100 ditëshi i qeverisë Kurti


100 ditëshi i qeverisë Kurti
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i mbrojnë të korruptuarit dhe se ka kaluar çfarëdo kohe e imagjinuar që dikush mund të shfrytëzojë SHBA-të si strehë për shkak të korrupsionit vendor.

Ai i bëri këto komente gjatë një paraqitjeje me rastin e shënimit të 100 ditëshit të parë të qeverisë së tij, duke ju kundërpërgjigjur udhëheqësit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha, i shkarkuar mbrëmë nga qeveria e Kosovës, i cili e cilësoi vendimin si politik.

Zoti Berisha, tha se shkarkimi i tij është jashtëligjshëm dhe se ai lidhet me “nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për vendosjen e linjë ajrore Prishtinë-Beograd në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin, me 20 janar te këtij viti”.

Marrëveshja për linjën ajrore ishte ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili ndërmjetësoi më pas edhe një marrëveshje për linjën hekurudhore dhe transportin rrugor ndërmjet të dyja vendeve. Zoti Kurti kishte deklaruar se zyrtarët që hodhën firmat në këto marrëveshje nuk kishin autorizim nga qeveria e tij.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se shkarkimi i zotit Berisha nuk ka të bëjë me pohimet e tij dhe se vetë emërimi i tij ka qenë i kundërligjshëm, ndërsa poshtë vlerësimet e opozitës së shkarkimet nëpër ndërmarrje publike janë politike.

“E tash besoj që e keni vërejtur të gjithë këtë dukuri, sa herë që këtyre zyrtarëve të korruptuar qeveria jonë edhe e juaj e mirë ua cenon interesat korruptive, fillojnë e piskasin Amelika, Amelika. E keni vërejtur si orvatën ta keqpërdorin Amerikën sa herë që ja përmend korrupsionin, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i mbrojnë të korruptuarit. Ka kaluar çfarëdo kohe e imagjinuar e dikujt që mund të gjejë strehim te SHBA-të për shkak të korrupsionit vendor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë thënë askujt vidh popullin tënd dhe unë nuk kam asnjë kritikë nga SHBA-të pse kemi bërë këto shkarkime të bordeve të drejtorëve apo menaxhmenteve të korruptuar, asnjë kritikë, e vetmja kritikë më vjen prej këtyre të shkarkuarve”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se zyrtarët e korruptuar po përpiqen që të dëmtojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur një i korruptuar i thurë lavde Shteteve të Bashkuara të Amerikës ai i bën dëm por është qeveria jonë e mirë që nuk do të lejoj që të bëjnë dëm këta njerëz meqenëse të korruptuarit nuk do t’i mbrojë askush përveç se një tjetër i korruptuar ama kurrsesi SHBA-të. Shtetet e Bashkuara janë vend i njohur që historikisht e kanë luftuar korrupsionin sepse e kanë parë sundimin e ligjit parakusht për demokracinë”, tha ai.

Shkarkimi ndodhi në një kohë kur qeveria e kryeministrit Albin Kurti mbushi 100 ditë të funksionimit të saj, nga të cilat gjysmën në detyrë pas mocionit të mosbesimit të 25 marsit. Opozita kritikoi të mërkurën qeverinë e zotit Kurti për trajtimin e aleancave ndërkombëtare, qasjen ndaj pandemisë së koronavirusit, por edhe shkarkimet në ndërmarrjet publike, duke i cilësuar ato si shkarkime politike.

Partia Demokratike e Kosovës në opozitë përmes një veprimtarie në sheshin qendror të Prishtinës i numëroi siç tha 100 dështimet e qeverisë Kurti.

“Kjo Qeveri dezertoi si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar me pandeminë, dhe ekonominë e vendit. Nuk guxoi të merret me temat e ndejshme të vendit sikurse dialogu me Serbinë. Mbi të gjitha, Qeveria Kurti për 100 ditë rrezikoi miqësinë e shenjtë me SHBA-të dhe do të mbetet e fundit që kërcënoi këtë raport historik. Kryeministri Kurti është zyrtari i parë shtetëror që akuzoi rëndë ShBA-të për ndërhyrje në rrëzimin e qeverisë por që për një gjë të tillë nuk u pajtua ministri i jashtëm i tij, Glauk Konjuca”, tha deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një mbledhje të qeverisë për të shënuar 100 ditëshin e qeverisë kritikoi presidentin e vendit dhe partitë opozitare për rrëzim të qeverisë.

“Fatkeqësisht pas gati 15 viteve të qëndrimit në opozitë ende pa i bërë 50 ditë pune si subjekt fitues i zgjedhjeve, na u bënë bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vite në Kosovë vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe qeveri që nga çdo parametër është treguar suksesshme duke përshirë edhe menaxhimin e pandemisë. Pse i gjithë ky inat? Pse gjithë kjo nguti për të marr ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve të ndershëm? Pse gjithë ky marshim dhe urrejtje ndaj një kryeministri e një qeverie që ka punuar mirë, ka punuar drejtë, pa rezervë e kursim. Pse gjithë ky luftim i qeverisjes sonë të mirë e cila jo që nuk i pati 100 ditë por as 100 orë pa ju kundërvënë frontalisht të gjithë ata që nuk e ndalën me 6 tetor”.

Ai tha se është për keqardhje trajtimi që partitë politike dhe presidenti i kanë bërë qeverisë së tij.

“Unë tashmë e kam sqaruar se rruga përpara janë zgjedhjet e lira dhe demokratike me masa mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetin e demokracisë, e tashmë ka edhe parti tjera që po kërkojnë të njëjtën gjë. Qeveria është në detyrë dhe do të vazhdoj të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja. Është e vërtetë që qeveria u rrëzua por është po ashtu e vërtetë një popull i tërë u ngrit”, tha kryeministri Kurti.

Fjala e zotit zotit Kurti ngjalli reagimin e ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia që kishte hedhur mocionin mosbesimit ndaj qeverisë.

“Nuk mund të konsiderohemi si ministra të suksesshëm në qoftë se sipas jush i takojmë një regjimi të vjetër. Nuk mund të konsiderohemi si ministra të pa korruptuar në qoftë se sipas jush ne i takojmë një familje politike pjesë e së cilës jemi që qenka në mbrojtje të së keqes dhe korrupsionit. Na lejoni i nderuar kryeministër që të bëjmë punën, të japim maksimumin ashtu siç kemi bërë që të kalojmë këto ditë të vështira dhe të punojmë sipas ligjit dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës ashtu siç kemi bërë nga dita e pare”, tha ministrja në detyrë e Arsimit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Ne përfaqësojmë LDK-në prandaj çdo lëvdatë ndaj punës tonë është lëvdatë edhe ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj LDK-së është edhe kritikë ndaj neve. Çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje edhe ndaj neve. Unë t’ju them të drejtën u ndjeva i ofenduar prej pjesës së fjalimit që ofendon LDK-në dhe po besoj siç e patë bashkë me pjesën tjetër të kabinetit, nuk u bëmë pjesë e një diskutimi të tillë sepse deri sa përfaqësojmë qeverinë e Kosovës, përfaqësojmë çdo qytetar pavarësisht bindjeve tona politike dhe ndoshta kjo është pjesë e kulturës tonë partiake që e përfaqësojmë këtu”, tha ministri në detyrë i infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

Partitë opozitare e kanë kritikuar qeverinë e kryeministrit Kurti për mospërmbushje të premtimeve dhe posaçërisht për përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të mospajtimeve rreth heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe, Kryeministri Kurti tashmë ka hequr tarifat duke vendosur masa të reciprocitetit, gjë që është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe partneri qeverisës Lidhja Demokratike e cila nëpërmjet një mocioni të mosbesimit rrëzoi qeverinë më 25 mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG