Lidhje

A janë shërbesat fetare në kishë "thelbësore" gjatë pandemisë?


Disa banorë në shtetin amerikan të Luizianës i qëndrojnë fort idesë për të marrë pjesë në shërbimet fetare gjatë mbylljes për shkak të koronavirusit.

"Nuk më intereson se çfarë është thelbësore apo jo sipas Bel Edward (guvernatori i Luizianës)", thotë Tricia Slaughter, një anëtare e kishës "Life Tabernacle" në qytetin e Baton Rouge.

Tricia Slaughter
Tricia Slaughter

Urdhri që guvernatori Edward nxorri më 23 mars për qëndrim në shtëpi të banorëve të Luizianës, vazhdon të jetë në fuqi. Ai kufizon operimin e bizneseve që qeveria dhe zyrtarët e shëndetësisë i konsiderojnë si jo-thelbësorë. Ndër kategoritë e veprimtarive të kufizuara, ato që kanë krijuar më shumë debat kanë qenë shërbimet fetare.

Luiziana iu bashkua më shumë se dy të tretës së shteteve në ndalimin apo kufizimin thelbësor të lutjeve në kishë, me qëllimin për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Guvernatori Edward ka vendosur një kufiri për personat që mund të luten njëkohësisht në kishë, gjithsej 10.

Shërbimet fetare në të gjithë vendin po zhvillohen përkohësisht në internet për të zbatuar kufizimet, por disa besojnë se këto urdhra shkelin liritë së tyre fetare.

Një nga sfidat më të dukshme ndaj urdhrave të lidhura me koronavirusin ka ardhur nga pastori i kishës së "Life Tabernacle", Toni Spell, i cili vazhdon të kryejë shërbesa javore me praninë e qindra besimtarëve, pavarësisht se ndodhet nën arrest shtëpie për shkelje të urdhrit.

Shumë besimtarë amerikanë e vlerësojnë dëshirën për t'u mbledhur e lutur së bashku gjatë këtyre kohërave sfiduese, por shqetësohen se kisha të tilla si "Life Tabernacle" po vënë në rrezik në mënyrë të panevojshme publikun.

"Ka sigurisht mënyra për t'u lutur pa sakrifikuar shëndetin e njerëzve", thotë Amanda Pitts, e cila ka marrë pjesë në shërbime virtuale fetare të mbajtura prej fillimit të pademisë nga një kishë ku ajo shkon zakonisht, në Teksas. Por zonja Slaughter këmbëngul se janë pikërisht shërbesat me prani fizike në kishën "Life Tabernacles" që kanë ruajtur mirëqenien e saj dhe atë të shumë vetëve prej bashkësisë së saj.

Mbrojta që zonja Slaughter i bën idesë se kisha e saj duhet të zhvillojë shërbesa me praninë fizike të besimtarëve është më shumë një gjë personale sesa një debat që lidhet me Amendamentin e Parë të kushtetutës amerikane.

"Unë kam pasur varësi nga alkooli", shpjegon ajo. “Përpara se të gjeja Life Tabernacle, pija vodka me lëng boronice çdo mëngjes. Abuzoja me ilaçet me recetë. Kisha marrëdhënie me një burrë të martuar. Jeta ime ishte lëmsh". Ajo thotë se kishte provuar të shkonte tek organizata si "Alkoolistët anonimë", por programi me 12 hapa nuk bënte për të.

"Ia thashë të gjitha këto pastor Spellit ", tha ajo.

"I fola për varësitë dhe abuzimet e mia dhe ai më tha: je e mirëpritur". Kjo është ajo që e bën kishën "Life Tabernacle" të veçantë për zonjën Slaughter. Ajo thotë se nuk është si ato kishat e mëdha që sheh shpesh në lajme. Besimtarët që mblidhen aty janë në shumicë të varfër dhe shumë luftojnë me probleme si të sajat.

Për tre vjet, zonja Slaughter shkonte pothuajse në të gjitha shërbimet fetare të mëngjesit të së dielës, por ajo thotë se pasiguria që ka krijuar COVID-19 e ka shqetësuar. Për t'u siguruar që nuk do t'i kthehej sërisht alkoolit, kohët e fundit filloi të merrte pjesë të martave në grupe që studiojnë biblën dhe në një shërbesë tjetër të dielën në mbrëmje.

"Nuk e imagjinoja kurrë vetën pa pirë pirë vodka qoftë dhe për një ditë të vetme, por tashmë familja ime e "Life Tabernacle" po më ndihmon të qëndroj esëll gjatë një periudhe shumë të vështirë", thotë ajo.

Zonja Slaughter thotë se nuk ka asgjë kundër atyre që i shijojnë shërbisat fetare në internet, por është e shqetësuar se ato mund të mos adresojnë nevojat e atyre që ndihen më të dobët.

Ajo thotë se ashtu sikurse qeveria po u jep përparësi disa llojeve të bizneseve, duhet të kërkohet që kisha të thërrasë ata që ajo i i quan si besimtarët më "thelbësore".

Sidoqoftë, shumë vetë thonë se rreziku i madh që paraqet pandemia ndaj shëndetit publik duhet të prevalojë mbi përfitimet individuale.

Yuria Orihuela shkon zakonisht në një kishë në Majemi. Florida ka hequr pjesën më të madhe të kufizimeve për të marrë pjesë në shërbime fetare, por kisha e zonjës Orihuela, si shumë të tjera në këtë shtet, ka vendosur tani për tani të vazhdojnë me shërbesat virtuale. Ajo thotë se nuk do të shkojë fizikisht në shërbesë edhe nëse kisha do t'ia ofronte këtë gjë.

"Të rrezikosh veten dhe familjen, kur shkencëtarët na thonë se nuk është një veprim i matur, ose je i pakujdesshëm dhe moskokëcarës, ose thjesht injorant" thotë ajo. "Mendoj se do të ishte papërgjegjshmëri".

Që nga shpërthimi i koronavirusit, ka pasur disa raste që kishat janë shndëruar në zona të nxehta të përhapjes së virusit. Për shembull, më shumë se 40 pjesëmarrës në një shërbesë fetare më 15 mars në Ilinois shfaqën simptoma të koronavirusit.

Një peshkop nga Virxhinia vdiq nga virusi pasi kreu një shërbesë personalisht në kishë në fund të marsit. Zonja Slaughter thotë se "Life Tabernacle" nuk po i injoron rreziqet që paraqet COVID-19. Ajo e di se nëntë anëtarë të bashkësisë së saj fetare janë prekur nga sëmundja. Zyrtarët e qytezës ku jeton konfirmuan vdekjen e një prej besimtarëve, Harold Orillion, si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga virusi.

Courtney Tobias
Courtney Tobias

"Media po krijon histori sikur ne jemi të pakujdesshëm apo rebelë", thotë një tjetër anëtare e kishës së "Life Tabernacle", Courtney Tobias, duke shtuar se "kjo nuk është e vërtetë".

Zonja Tobias thotë se besimtarëve u matem temperatura para se të hyjnë në kishë, u kërkohet të mbajnë maska në fytyrë, të desinfektojnë duart dhe ata ulen vetëm pranë familjes së tyre. Ajo thotë se pastori Spell u ka thënë besimtarëve në kishë se virusi është diçka për t'u shqetësuar dhe se nëse dikush nuk ndihej i sigurt që të vinte, ishin të mirëpriteshin kurdo që të vendosnin.

"Shumë nga të moshuarit kanë vendosur të mos marrin pjesë tani për tani", thotë zonja Tobias, "përfshirë edhe hallën e pastorit". Kjo tregon se ne po e marrim seriozisht këtë çështje".

"Nuk mendoj se disa njerëz e kuptojnë se sa e rëndësishme është kisha për komunitete të caktuara", thotë zonja Tobias. Ajo pranon se ka njerëz që mund ta shtyjnë tre muaj pa marrë pjesë fizikisht në një shërbesë fetare dhe të jenë mirë, "por shumë nga bashkësia jonë nuk munden", shton ajo.

"Ne kemi anëtarë që janë viktima të abuzimit me drogën, alkoolin, që kanë tentuar të vetëvriten, viktima të ngacmimit seksual. Kemi fëmijë nga familje të shkatërruara ose jo të shëndetshme dhe për ta kisha është vendi i tyre i sigurt, pa dhunë, armë e drogë".

Zonja Tobias thotë se shërbesat fetare në internet mund të funksionojnë për disa, por shumë nga besimtarët nuk kanë pajisjet e duhura për këtë gjë.

"Unë nuk kam internet me shpejtësi të lartë apo një telefon inteligjent dhe ashtu si unë edhe shumë njerëz të bashkësisë sime fetare", thotë zonja Slaughter.

Virus Outbreak Florida
Virus Outbreak Florida

Shumë anëtarë të kishës gjithashtu janë pa automjete dhe "Life Tabernacle" ka vendosur në dispozicion 27 autobusë që i dërgon për t'i marrë besimtarët çdo të dielë. Ata thonë se kjo e bën të pa mundur për të organizuar shërbesa të vogla prej 10 personash.

Jen Olano i ka shijuar shërbimet virtuale të kishës së saj në Nju Orlins dhe thotë se takohet me grupin që studion biblën rregullisht në "Zoom". Ajo thotë se shqetësohet kur sheh sheh njerëz që nuk zbatojnë urdhrat e qëndrimit në shtëpi, por mendon se çështja mund të jetë më e ndërlikuar.

"Askush nuk do t'i mohonte një pacienti me kancer trajtimin gjatë koronavirusit" thotë ajo "pra si mund t'i mohoni atyre që luftojnë me varësinë dhe sëmundjet mendore mbështetjen që u duhen?!".

Zonja Tobias thotë se ajo e kupton se zyrtarët me vendimet e tyre po përpiqen të ekuilibrojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve të tyre, por ajo pajtohet me zonjën Slaughter që disa nga ato shërbime që ata kanë vendosur si përparësi, janë të diskutueshme.

"Ata po e bëjnë të vështirë për mua të shkoj në vendin që e kam të nevojshëm për të luftuar problemet që kam me varësinë nga alkooli", thotë zonja Slaughter. "Por a e dini se cilin vend kanë bërë ata tejet të lehtë për mua që të shkoj?! Dyqanet e alkoolit! Dyqani i pijeve alkoolike konsiderohet thelbësor!

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG