Lidhje

Konventa demokrate për emërimin e zotit Biden mund të zhvillohet virtualisht


Si rezultat i frikës nga koronavirusi, Partia Demokrate është shumë pranë marrjes së vendimit për mbajtjen virtualisht të konventës në muajin gusht për emërimin e ish-Nënpresidentit Joe Biden si kandidat për president në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në vend të ngjarjes tradiconale madhështore.

Komisioni për rregullat dhe aktet nënligjore i Partisë Demokrate u pajtua të martën për t’u dhënë organizatorëve të konventës një hapësirë të gjerë për hartimin e planeve për mbajtjen e konventës së planifikuar të fillojë me 17 gusht në qytetin e Miluakit.

Zakonisht, konventat për emërimin e kandidatëve presidencialë nga të dyja partitë që mbahen një herë në katër vjet, tërheqin rreth 50 mijë njerëz në qytetet organizatore, përfshi 5 mijë delegatë dhe ndoshta 20 mijë pjestarë të medias.

Me fjalime të ashpra ndaj kandidatëve kundërshtarë, konventat për dekada me radhë kanë qënë spektakle të skenës politike amerikane me synimin për të promovuar kandidatin e një partie rreth 10 javë para fillimit të votimeve të hershme të nëntorit. Ngjarja katër ditore zakonisht kulmon me rënien e tullumbaceve të shumta në ngjyrë të kuqe, bardhë dhe blu në sallat e konventës.

Shqetësimi i demokratëve për pandeminë mund të ndryshojë në mënyrë dramatike konventën e partisë së tyre këtë vit. Por nga krahu tjetër, Presidenti Donald Trump ende po planfikon mbajtjen e një konvente tradicionale në qytetin Sharlote në Karolinën e Veriut, një javë pas demokratëve.

Krytari i Partisë Demokrate Tom Perez tha se rezoluta për planifikimin e konventës, e miratuar nga komisioni i rregullores, do të ofrojë të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar që çdo delegat është në gjendje të realizojë detyrimet zyrtare pa rrezikuar shëndetin, qoftë duke marrë pjesë fizikisht, ose mënyra të tjera që lejojnë distancimin fizik.

Kjo masë tani do të kalojë para komisionit të plotë kombëtar të Partisë Demokrate, për miratim me votim me postë në javët që pasojnë.

Konventa e demokratëve mund të jetë një ngjarje krejtësish virtuale me delegatë, zyrtarë partiakë, gazetarë dhe të tjerë në mbarë vendin, që lidhen me pajisje teknologjike me video si Zoom, ose në një shkallë më të vogël.

Kryetari Perez u shpreh: “Propozimi ynë kryesor është për shëndetin dhe sigurinë e popullit amerikan”, ndërsa shtoi se ende nuk është marrë vendimi përfundimat.

Zoti Biden rregullisht ka zhvilluar fushata televizive nga shtëpia e tij në shtetin Dalauer, ndërsa ka hequr dorë nga tubimet tradicionale publike gjatë pandemisë. Kështu ka vepruar edhe presidenti.

Zoti Biden tha të mërkurën se mezi pret të ngjitet në skenë përballë kundërshtarit të tij, Presidentit Trump, në një fushatë tradicionale debatesh ballë për ballë në muajt para zgjedhjeve të tre nëntorit.

“Ajo që po përpiqem të bëj është të veproj në bazë të rregullave të caktuara nga guvernatorët dhe të tjerët. Që të mos dal jashtë dhe të respektojmë distancimin fizik. Por, mezi po pres momentin kur gjërat fillojnë të zbuten, që të jem në gjendje të dal jashtë të bëj fushatë dhe të zhvillojmë mitingje”, u shpreh zoti Biden.

“Shpresoj të shkoj në Miluaki. Shpresoj të kemi një konventë tradicionale. Por ne duhet të respektojmë shkencën.”

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan Ronna McDaniel e ka lënë hapur mundësinë e ndryshimeve për konventën republikane. Por Presidenti Trump shpesh shpreh dëshirën për një konventë tradicionale të mbushur me brohoritje të delegatëve dhe fjalime që sulmojnë demokratët.

“Presidenti dëshiron që të shkohet përpara dhe ne jemi të gatshëm për një konventë me pjesmarrës në Sharlote (Charlotte)”, tha zonja McDaniel.

Demokratët thonë se nuk dihet mbi rreziqet që do të paraqesë koronavirusi në muajin gusht. Zoti Perez tha se Presidenti Trump dhe zonja McDaniel e kanë minimizuar kërcënimin nga koronavirusi, madje ndërsa ata i kanë kërkuar ndihmë qeverisë federale për sigurimin e pajisjeve mbrojtëse personale për delegatët pjesmarrës në konventën republikane.

Zoti Perez tha se demokratët nuk do të shpërfillin kërcënimin shëndetësor të një konvente masive me pjesmarrës, por gjithashtu nuk kanë përjashtuar mundësinë që të kërkojnë nga qeveria pajisje të mbrojtjes personale për pjesmarrësit në konventë.

“Ndryshe nga homologët tanë republikanë, ne nuk do të rrezikojmë shëndetin e pjesmarrësve”, u shpreh zoti Perez.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi ka sugjeruar që konventa të zhvendoset nga Miluaki por gjithsesi të zhvillohet në Uiskonsin. Ajo mendon që konventa të zhvillohet në ambjentet jashtë, në një stadium gjigand futbolli, me distancë të përshtatshme fizike mes delegatëve duke kufizuar madhësinë e turmës.

Dy objekte të tilla gjenden në Uiskonsin. Njëri është stadiumi Camp Randall në kryeqytetin Madison dhe stadiumi i ekipit Packers në Green Bay.

“Sugjerimi im për zotin Perez ishte gjetja e një stadiumi gjigand dhe vëndosja e njerëzve në një distancë prej dy metrash. Në vend që kemi 80 mijë njerëz do të kemi 16 mijë dhe konventa të zhvillohet brenda një dite”, tha zonja Pelosi javën e shkuar.

Zonja Pelosi tha se kishte besim se zoti Perez do të marrë vendimin e duhur bazuar tek shëndeti dhe shkenca, por edhe me mundësinë për të bërë diçka të re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG