Për shkak të sulmeve vdekjeprurëse të kohëve të fundit në Afganistan, Presidenti Ashraf Ghani ka urdhëruar forcat e tij kombëtare që të jenë në gjendje gatishmërie kundër Talibanëve. Ekspertët thonë se rritja e dhunës nuk është një shenjë e mirë për marrëveshjen e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve, të nënshkruar në shkurt, e cila kishte për qëllim të shërbente si një hap i parë drejt pajtimit ndër-afgan.
Një vend i goditur rëndë nga luftërat dhjetra vjeçare. Militantët sulmuan repartin e maternitetit të një spitali në Kabul të martën, duke vrarë të paktën 14 njerëz, përfshirë nënat dhe foshnjat e tyre të porsalindura, duke shkaktuar zemërim.
"Pashë tetë trupa të vdekur të grave në këtë repart dhe shtatë trupa të tjerë në repartin tjetër në shtretër dhe ato ishin qëlluar në kokë ose në fytyrë", tha Abdul Hadi, një zyrtar lokal.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e përshkroi sulmin ndaj nënave dhe të porsalindurve si një “të keqe absolute”. Në të njëjtën ditë, ndodhi një sulm tjetër vetëvrasës në një funeral në provincën lindore të Nangarharit, duke e çuar në të paktën 56 numrin e viktimave nga të dyja sulmet.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u përgjigj duke urdhëruar forcat e sigurisë që të kalonin nga një gjendje gatishmërie për t’u mbrojtur në gjendje gatishmërie për të sulmuar përsëri Talibanët dhe grupet terroriste. Zëdhënësi i tij i tha Zërit të Amerikës se Talibanët shkelën premtimin e tyre për pakësimin e dhunës.
"Në vend të kësaj, ata u përqëndruan më shumë në operacionet ushtarake, në rritjen e sulmeve ndaj forcave afgane dhe popullit afgan. Pra, ne nuk kemi parë një shenjë të qartë të përkushtimit brenda talebanëve për t'i dhënë fund kësaj lufte", tha Sediq Sediqqi, zëdhënës i Presidencës së Afganistanit.
Talebanët kanë mohuar përfshirjen në sulmet e së martës, por rritja e fundit e dhunës kërcënon të minojë procesin e paqartë të paqes, pas marrëveshjes së shkurtit të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Talibanët.
Sulmet e përditshme kanë vazhduar që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes, duke rritur skepticizmin mes shumë njerëzve për perspektivën e pajtimit.
"Ky nuk është një demonstrim i paqes që duhet bërë nëse jeni vërtetë të gatshëm për të hyrë në negociata të duhura me qeverinë afgane", tha Nishank Motwani, Zëvendës Drejtor i Njësisë afgane të Studimit dhe Vlerësimit.
Megjithë skepticizmin, Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Paqen dhe Pajtimin në Afganistan, Zalmay Khalilzad në një postim në Twitter pas sulmeve i bëri thirrje qeverisë afgane dhe Talebanëve që të punojnë së bashku kundër "një armiku të përbashkët", duke shtuar se tani është koha për të ecur përpara në rrugën drejt paqes.
Facebook Forum