Lidhje

Meta: Bashkë me Teatrin Kombëtar ra çdo iluzion për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri


Gjykata e Tiranës shqyrtoi sot masat e arrestit për 8 të ndaluarit në protestën e të dielës, një tubim spontan pas shembjes së Teatrit Kombëtar mëngjesin e asaj dite.

Prokuroria kishte kërkuar që 2 prej tyre të mbaheshin në arrest shtëpie dhe 6 të tjerë të hetoheshin në gjendje të lirë pas akuzave për tubim të paligjshëm dhe kundërshtim të policisë.

Gjykata vendosi masat për Erik dhe Endrit Mërtiri me arrest në shtëpi me afat deri më 3 qershor, detyrim paraqitje Bojken Abazi, Kastriot Qema, Romeo Lilo, Ledion Xhoxhaj, Burim Tafilica dhe Sokol Ndoja.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi se “të gjitha arrestimet, ndalimet dhe procedimet për mbrojtjen paqësore të Teatrit Kombëtar janë vetëm politikë dhe duhen liruar”. Zoti Meta i bëri këto komente kur tetë të arrestuarit gjatë protestës të të dielës dolën para Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë. Presidenti Ilir Meta, deklaroi se “shembja e Teatrit Kombëtar asgjësoi përfundimisht çdo iluzion për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

Në Tiranë, artistë, aktivistë të shoqërisë civile e qytetarë, u mblodhën në bulevardin qëndror, pak metra larg vendit ku deri të dielën në orët e para të mëngjesit, ngrihej godina e Teatrit Kombëtar. Kjo është protesta e dytë e tyre, e cila nisi sot me firmosjen e një peticioni në mbështjetje të propozimit për rindërtimit të Teatrit ashtu siç ishte. Një peticion i cili pritet të shpërndahet dhe në qytete të tjera të vendit.

Folësit e ndryshëm, e cilësuan si një krim shembjen e Teatrit dhe dënuan sërish “dhunën që policia ushtroi të dielën ndaj artistëve dhe qytetarëve që ishin në mbrotje të godinës”. Pothuajse të gjithë i mëshuan kërkesës që Drejtësia të veprojë. “Drejtësia të tregojë se di të mbrojë të drejtat institucionale dhe Teatri është një nga institucionet më të shenjta. Drejtësia të japë drejtësi për atë pushkatim që ju bë Teatrit”, tha në fjalën e tij akori Neritan Liçaj.

Duke e quajtur “një akt terrorist”, ndërhyrjen e autoriteteve, regjisori Robert Budina tha se “kemi depozituar dy kallëzime në SPAK për kryetarin dhe nënkryetarin e bashkisë për korrupsion, dhe tani për vrasje në tentativë”, u shpreh ai duke këmbëngulur se “duhet të dalin para drejtësisë porositësit e sulmeve, ekzekutuesit, njësia që e kreu, institucioni që duhet ta mbronte, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, që e la të shkatërrohej, të gjithë drejtorët që vendosën firmën në një raport të pakryer asnjëherë, apo dhe inxhinierët që kanë firmosur pa qenë asnjëherë në godinë”. Sipas zotit Budina, nësedrejtësia nuk vepron, qytetarët legjitimohen të mbrojnë veten dhe pasuritë e tyre me të gjitha format”.

Në protestën e sotme, në podium u ngjit dhe analisti Alfred Lela, i cili u dhunua të dielën nga policia. “I kam falur policët, sepse janë bijë nënash, por nuk e kam falur Edi Ramën dhe nuk do ta fal Sandër Lleshin. Jo se u dhunova atë ditë, por sepse ishin të pazotë për ta pranuar dhunën, e për të thënë “Na fal se ashtu ndodhi”, qoftë dhe me hipokrizi. Por as kjo nuk ndodhi, se janë burracakë dhe për këtë nuk kam për t’i falur”, deklaroi Lela.

Protestave të qytetarëve u janë bashkuar edhe partitë e opozitës me veprimtarët e tyre nën parrullat “Poshtë Diktatura!”, duke akuzuar qeverinë se po shfrytëzon masat e mbylljes prej pandemisë për të kryer akte arbitrare, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Drejtuesit e opozitës, janë thirrur nesër në një takim nga presidenti Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama ka mohuar që të ketë patur dhunë nga policia dhe shtoi se nuk ka ndonjë arsye për të patur hetime as për Teatrin as për forcat e rendit.

Socialistët kanë premtuar një teatër të ri në truallin e Teatrit historik Kombëtar, ndërsa për Aleancën e Teatrit kjo është një aferë e madhe korruptive, prapa të cilës qëndrojnë grupe ndërtuesish për të ngritur kulla në qendër të kryeqytetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG