Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta thirri sot në një takim drejtuesit e opozitës, pak ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, një akt të cilin kreu i shtetit e cilësoi si “një provokim për demokracinë”. Situata e tensionuar ka vënë në dyshim bashkëpunimin e palëve për reformën zgjedhore, por sipas presidentit opozita do të duhet të vijojë të japë kontributin e saj për këtë cështje. Nga ana e tyre artistët që kundërshtojnë shembjen e Teatrit u mblodhën sot përpara prokurorisë së posaçme antikorrupsion, për të kërkuar ndëshkimin ligjor të drejtuesve të bashkisë së Tiranës dhe gjithë personave përgjegjës të përfshirë në çështjen e Teatrit
Kundërshtarë të fortë të shembjes së Teatrit kombëtarë, presidenti Ilir Meta dhe drejtuesit e opozitës u takuan sot për të diskutuar mbi situatën e krijuar. Për kreun e Shtetit, “shembja e paligjshme” siç e cilësoi ai e godinës së Teatrit, është “një provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane”.
Shembja e Teatrit solli një acarim të klimës politike në vend, ndërsa palët po punonin për përmbylljen e refomës zgjedhore. Opozita deklaroi se ishte thyer besimi dhe se ajo nuk mund të ishte fasadë. Por presidenti Meta, theksoi sot “rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.
Pas takimit, në një postim në Twitter kryetari demokrat Lulzim Basha shkruajti se me kreun e Shtetit u diskutua “për krizën dhe rrugëdaljen prej saj. Shqiptarët do shpëtojnë kur të bashkuar kundër së keqes do tju drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi zoti Basha.
Çështja e Teatrit dhe reforma zgjedhore ishte në qendër dhe të takimit që presidenti Meta pati më pas me ambasadorët e Bashkimit europian, ndërsa më parë, këshilltarët e tij kishin biseduar me ambasadoren amerikane Yuri Kim.
Sipas kreut të shtetit “shkatërrimi i dhunshëm dhe i paligjshëm i ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe sjellja shproporcionale e policisë ndaj qytetarëve, kanë shkaktuar një dëm të pamerituar ndaj procesit të integrimit europian të vendit”.
Paralel, në pjesën tjetër të kryeqytetit artistët u mblodhën përpara prokurorisë së posaçme antikorrupsion, e cila ka nisur një hetim për praktikat e mëparshme të ndjekura për Teatrin. “Populli, vëllezër prokurorë, është i lodhur, nuk beson më në asnjë vlerë. Bëhuni jut ë parët që jepni shkndijën e shpresës që njerëzit të fillojnë të lëvizin në të gjitha fushat që gjërat të lëvizin në të gjitha fushat e të kontribuojnë për Shqipërinë. Nëse ju fshihni kriminelët, më vjen keq, do të ketë një përgjigje mbarëpopullore. Ne ua themi me shumë këmbëngulje që jemi të vendosur ta çojmë deri në fund betejën tonë”, deklaroi regjisori Robert Budina.
Shembja e teatrit ishte sot pjesë edhe e debateve në parlament, të nxitura nga përfaqësuesit e opozitës, e ku kryeministri Rama mbrojti sërish vendimet dhe veprimet e ndërmarra nga qeveria e Bashkia e Kryeqytetit, ndërsa ironizoi qëndrimet e drejtuesve të opozitës dhe presidentit Meta.
Facebook Forum