Lidhje

SHBA, hyn në fuqi vendimi për ndalimin e udhëtimeve nga Brazili


Vendimi për ndalimin e udhëtimeve nga Brazili hyn në fuqi të martën, dy ditë më herët sesa njoftoi fillimisht Shtëpia e Bardhë. Vendimi vjen në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Zyrtarët nuk dhanë ndonjë arsye specifike se pse e ndryshuan datën e cila fillimisht ishte parashikuar të enjten.

Vendimi prek shtetasit e huaj që duan të hynë në SHBA, por kanë qenë në Brazil gjatë 14 ditëve të fundit, një periudhë kur, sipas ekspertëve, virusi mund të jetë i pranishëm e të infektojë të tjerët megjithëse nuk shkakton simptoma tek bartësi. Presidenti Trump ka vendosur masa të ngjashme kundër Kinës dhe vendeve evropiane.

Personat që kanë leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, pra bartësit e kartave të gjelbra, përjashtohen nga ky vendim për ndalim.

Brazili është tashmë një pikë e nxehtë e përhapjes së koronavirusit. Ministria braziliane e shëndetësisë tha të hënën se COVID-19 shkaktoi vdekjen e 807 personave në 24 orët e fundit duke tejkaluar numrin e vdekjeve brenda së njëjtës ditë në SHBA, ku u regjistruan 620 viktima.

Brazili ka mbi 374 mijë raste me koronavirus, vendi i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara, për nga numri i të prekurve.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro për muaj me radhë ka folur me shpërfillje për rrezikun nga koronavirusi, duke u bërë thirrje bizneseve të vazhdojnë aktivitetin dhe duke mos u kushtuar rëndësi këshillave për distancim fizik.

Ai është shprehur se ky virus nuk është asgjë më shumë se grip dhe ka shtuar se shkatërrimi i ekonomisë do të vrasë shumë më tepër njerëz se sëmundja. Ai i ka cilësuar brazilianët që shprehin shqetësim për virusin, njerëz “nevrastenikë”.

Por disa ekspertë brazilianë të shëndetit paralajmërojnë se infrastruktura shëndetësore është në krizë dhe se numri i viktimave ende nuk ka arritur kulmin. Ata shtojnë se numri i viktimave ndër popullatën indigjene është dy herë më i lartë se në popullatën e gjerë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG