Lidhje

Shefja e ONM-së: Reforma në Drejtësi s’duhet të minohet nga sulmet


Në fazën aktuale, vendimtare për përparimin e Shqipërisë në udhën e integrimit evropian, Reforma në Drejtësi nuk duhet të minohet nga sulme të ndryshme: deklarata u bë sot nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Genoveva Ruiz Calavera, në një shkrim të gjatë lidhur me ecurinë e kësaj reforme. Komentet e zonjës Calavera pasojnë debatet e rihapura ditët e fundit lidhur me këtë reformë.

Presidenti Ilir Meta në deklaratat e fundit publike, ka qenë kritik lidhur me zbatimin e saj dhe nuk kurseu as akuzat e drejtpërdrejta ndaj misioneve amerikane dhe europiane të ndihmës juridike të cilat kanë ndjekur nga afër jo vetëm hartimin e reformës por dhe vënien e saj në jetë. Ndërsa në një Platformë për integrimin europian të vendit, paraqitur, siç tha ai partive politike, binte në sy propozimi “për ngritjen e një Këshilli Politik ku duhet të bëhen me konsensus unanim çdo ndryshim ligjor e kushtetuese në lidhje me reformën në drejtësi”. Një strukturë e ngjashme me atë për Reformën Zgjedhore, si një institucion që anashkalon parlamentin, duke qenë ai vendimmarrrësi kryesor.

Pas vitesh pune të palodhur për ndërtimin e themeleve të forta për një gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe vërtet të paanshëm në Shqipëri, ekziston vetëm një mënyrë për të siguruar zbatimin e plotë të reformës në drejtësi në Shqipëri: ecja përpara, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, shkruajti sot zonja Calavera. Duke përmendur ngritjen dhe vënien në funksionim të institucioneve të reja të Drejtësisë, ajo theksoi se “këto rezultate të rëndësishme duhet të pranohen, të ruhen dhe të zhvillohen”.

Falë funksionit të saj në Bruksel, si drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, zonja Calavera, njeh nga afër dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. “Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësorë në kontekstin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE dhe zbatimi i vazhdueshëm i reformës gjyqësore do të jetë kyç”, nënvizoi ajo duke saktësuar se “kjo nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e punës teknike, por ka të bëjë edhe me angazhimin politik. Kjo është arsyeja pse të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të vazhdojnë të garantojnë kushtet e nevojshme politike që reforma të shpaloset pa probleme. Nuk ka asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje bazat e procesit të reformës, sado e vështirë të jetë dhe, po, në disa raste edhe sfiduese. Arritjet e qarta dhe konkrete në zbatimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojnë tani me më shumë vendosmëri dhe angazhim se kurrë”.

Debate rreth reformës në Drejtësi zgjoi dhe nisja e hetimeve ndaj një prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, Luan Daci, nën dyshimet se ka fshehur nga të dhënat e tij, largimin nga detyra si gjyqtar në vitin 1997. Daci u pezullua nga funksionet në Kolegj me vendim të Gjykatës. Për zonjën Calavera “hetimi aktual në rastin e njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe pezullimi i mëpasshëm nga detyra, nuk duhet të jetë një justifikim për të sulmuar reformën gjyqësore, përkundrazi, duhet të shihet si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive”.

Edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim në disa deklarata dhe pastime radhazi në rrjetet sociale i mëshoi rëndësisë së vazhdimit të Reformës. “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë", shkroi ajo në Tëitter pak ditë më parë. Ndërsa më pas në një deklaratë të saj ambasada amerikane, duke nënvizuar angazhimin në mbëhstetje të Reformës theksonte se “ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi" saktësonte deklarata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG