Lidhje

Me afrimin e verës, lehtësim dhe nervozizëm për plazhet 


Afrimi i verës dhe lehtësimi i masave për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara, i ka bërë amerikanët të ndjehen më të lirshëm dhe të shijojnë disa nga aktivitetet që u kanë munguar. Por turmat e mëdha të njerëzve në qytete bregdetare fundjavën e kaluar, që shënoi hapjen tradicionale të sezonit, shkaktuan nervozizëm për një përtëritje të mundshme të përhapjes së virusit, nëse nuk tregohet kujdes. Kolegia Keida Kostreci ishte në qytetin Ocean City, në shtetin e Marilendit, një destinacion popullor turistik buzë Oqeanit Atlantik.

Me afrimin e verës, lehtësim dhe nervozizëm për plazhet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Megjithëse me më pak vizitorë se vitet e kaluara, ishte e qartë që ishte një moment i shumëpritur nga shumë njerëz që ishin të izoluar për një kohë të gjatë. Banorë vendas si Virginia Knauff, mirëpresin vizitorët.

“Mezi pres që të vijnë më shumë njerëz dhe përsa kohë bëjnë atë që duhet nuk është problem”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Por zonja Knauff shton se pa me shqetësim se si shumë prej tyre, nuk i ndoqën rregullat e distancimit fizik.

Eric, një vizitor nga qyteti Hagerstown në Meriland, thotë se atmosfera është e pazakontë.

“Gjysma e vendeve që janë zakonisht plot në këtë periudhë, janë mbyllur. Duhet të kesh kujdes se mos u afrohesh disa njerëzve”.

Një nga porositë e ekspertëve kishte qenë ruajtja e distancës.

“Mund të shkoni në plazhe nëse mbani distancën e duhur. Por mos harroni se ajo është hapësira juaj dhe duhet të siguroheni që të ruani largësinë nga njëri-tjetri”.

Por shtete të ndryshme, kanë rregulla të ndryshme. Ndryshe nga Ocean City, ku maska nuk është e detyruar dhe njerëzit mund të hyjnë në oqean, të gjithë vizitorët e Nju Jorkut në plazhe, duhet të mbajnë maska dhe nuk hyjnë dot në ujë.

Bizneset vazhdojnë të jetë të prekura. Keti Lynch, është bashkëpronare e një kompanie pasurish të patundshme, që shet dhe jep banesa me qera.

“Rezervimet që kemi pasur janë gati 50 për qind të kapacitetit që mund të kishim në të njëjtën kohë vjet”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Zonja Lynche kupton shtysën e familjeve për të vizituar.

“Pas dy muajsh që ishin në karantinë donin që të shkonin dhe të gëzoheshim”.

Pikërisht këtë dëshirë dhe popullaritetin, kryebashkiaku i Ocean City, Richard Meehan, e sheh si diçka pozitive por…

"Kjo është një nga sfidat me të cilën përballemi, që do të vijnë njerëz nga e gjithë zona e mesme e Atlantikut, ndërsa fillojmë të rihapemi”.

Shifra e vizitorëve fundjavën e kaluar reflekton atë të rënies së biznesit. Sipas të dhënave paraprake, nga 250 mijë vizitorë që vijnë zakonisht, këtë radhë ishin rreth gjysma.

Banorë, anëtarë të biznesit dhe vizitorë, zgjedhin ta shohim me optimizëm parashikimin për verën.

“Mezi pres të dëfrehem këtë verë, Shpresoj që më shumë njerëz të vijnë”.

“Besoj se ka ardhur koha që të hapen bizneset, sepse janë në një pozitë të vështirë”.

“Familjet kanë dëshirë të vijnë me gjithë fëmijët në plazh, sezoni është i shkurtër, kjo është e vetmja mundësi që mund të vish tani në plazh”.

Ndërsa afrohet sezoni i verës, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje: a do t’i respektojnë vizitorët rregullat e distancimit fizik? A do të ketë një valë të dytë shkaktuar nga fakti që shumë njerëz do të grumbullohen në vendet e pushimeve? Kur do të hapen bizneset, restorantet, parqet e lojrave për fëmijët? Por një gjë është e sigurt. Vera e këtij viti do të jetë shumë ndryshe nga ato paraardhëse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG