Lidhje

Turqia përdor pandeminë për të forcuar autoritetin


Për vite me rradhë, vëzhguesit ndërkombëtarë, qeveritë perëndimore dhe politikanët e opozitës në Turqi kanë paralajmëruar për rrëshqitjen e vendit nën Presidentin Recep Tayyip Erdogan, drejt asaj që një komentator e quan “autokraci e zgjedhur”. Aktualisht, edhe pasi rastet e infeksioneve dhe vdekjeve kanë rënë, qeveria e atij vendi ka shtrënguar kontrollet tashmë të rrepta ndaj medias sociale. Kritikët thonë se pandemia po e përshpejton rënien e lirive demokratike në Turqi.

Kontrollet e qeverisë turke për të ndaluar përhapjen e koronavirusit e kthyen Stambollin dhe qytete të tjera në qytete fantazmë.

Por, beteja kundër pandemisë kaloi përtej rrugëve tek media sociale.

Në faqen e ministrisë së brendshme njoftohen ndalimet dhe dënimet e njerëzve që shkelin një ligj të ri, që i quan krime postimet mbi virusin që kosiderohen se shkaktojnë panik.

Emma Sinclair-Webb është me organizatën Human Rights Watch.

“Mënyra se si ministria e brendshme portretizon postimet e njerëzve në median sociale, si kërcënim për vendin, është në vetvete shumë frikësuese. Është një mesazh i qartë ndaj njerëzve, që të mbyllin gojën dhe të mos kritikojnë qeverinë.”

Presidenti Erdogan deklaroi së fundmi se ai do të zhdukte jo vetëm epideminë por gjithashtu edhe ato që ai i quajti “viruse midiatike dhe politike”. Pak media të mbetura të pavarura vazhdojnë të ofrojnë raportime kritike mbi mënyrën e trajtimit të epidemisë nga qeveria.

Raportime për të cilat gazetarët janë ndaluar dhe dënuar. Grupe të drejtave të njeriut e akuzojnë zotin Erdogan se ka përdorur krizën për të forcuar pushtetin. Yaman Akdeniz është me “Shoqërinë për Lirinë e Shprehjes”.

“Tani ata i referohen si përmbajtje provokative për koronavirusin. Disa javë më parë e quanin ‘propagandë terroriste’ ose ‘shpifje ndaj presidentit të Turqisë’. Krimet ndryshojnë ndërsa numrat vazhdojnë të rriten kur flitet për hetime dhe dënime kriminale.”

Kryebashkiaku i Stamblollit, Ekrem Imamoglu, tha së fundmi se ai sëbashku me homologë të tjerë opozitarë janë nën hetimin e qeverisë dhe mund të pushohen nga puna. Kryebashkiakët u dhanë njerëzve maska dhe drejtuan fushata për të ndihmuar viktimat. Nga ana tjetër, zoti Erdogan i akuzoi ata se po krijonin një shtet brenda shtetit.

Kritikët thonë se është një shembull tjetër se si qeveria e përdor pandeminë për të shtrënguar pushtetin, çfarë mund të çojë drejt paqëndrueshmërisë. Asli Aydintasbas është me Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Kjo do të çojë në konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit. Nuk e dimë se si njerëzit do të reagojnë ndaj kësaj dhe si do të mendojnë. Nëse do ta shohin atë si nënprodukt të dalë nga kriza aktuale, ose nëse do të shfaqet më vonë gjatë krizës, kur njerëzit do të fillojnë të kundërshtojnë dorën e rëndë të qeverisë dhe shtetit turk.”

Zoti Erdogan i hedh poshtë akuzat për forcim pushteti, duke pretenduar se masat e reja kanë përqëllim vetëm problemet e shaktuara nga pandemia.

Ndërsa bie përhapja e infeksioneve dhe lehtësohen kufizimet e lëvizjes, ai vend ka nxjerrë dënime të reja për “informacione të rreme apo thashetheme” që mund të destabilizojnë monedhën e Turqisë, lira, e cila ka pësuar rënie të theksuar gjatë pandemisë. Zoti Erdogan fajëson manipulatorët e monedhës dhe thashethemet dashakeqe në median sociale për rënien e vlerës së lirës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG