Lidhje

Shokët kujtojnë 46-vjeçarin e vrarë në Minesota


46-vjeçari George Floyd ishte vendosur në Mineapolis disa vjet më parë në kërkim të një jete të re. Ai vdiq më 25 maj kur një polic i bardhë po e arrestonte dhe e mbante të mbërthyer nën peshën e tij, duke i vënë këmbën në qafë.

George Floyd, dikur një sportist i dalluar në ekipin e futbollit amerikan në shkollën e tij të mesme në Teksas, si shumë amerikanë të tjerë kishte humbur punën dhe po përpiqej të mbijetonte në periudhën e vështirë të koronavirusit. Sipas njoftimeve, të hënën, më 25 maj, punonjësi i një dyqani lokal në Minesota thirri policinë për të raportuar një person që ishte përpjekur të paguante me një kartmonedhë 20-dollarëshe të falsifikuar.

Shoku i tij, Christopher Harris thotë se Floyd kishte ardhur në Mineapolis nga Hjustoni pesë vjet më parë për të kërkuar punë. Por kur guvernatori i Minesotës dha urdhër për mbylljen e objekteve publike për të ndalur përhapjen e epidemisë, Floyd humbi punën si roje sigurie në një restorant.

Një video e përhapur gjerësisht në median sociale dhe e transmetuar nga mediat, 46-vjeçari afrikano-amerikan Floyd shihet i shtrirë përtokë pranë një makine policore, me duar të lidhura në pranga pas shpine, ndërsa oficeri i bardhë Derek Chauvin e mban të mbërthyer për asphalt duke i mbajtur gjurin në qafë. Floyd ankohet se nuk mbushet dot me frymë. Videoja mbarën pasi arrin ambulanca dhe ekipi mjekësor e kthen trupin e Floyd. Ai nuk lëviz gjatë gjithë kohës që ekipi e vendos në barrelë e më pas në ambulancë.

Të martën, më 27 maj katër policë u shkarkuan; të mërkurën Kryebashkiaku Jacob Frey bëri thirrje për akuza penale kundër policit Chauvin. Kryebashkiaku nuk foli për tre policët e tjerë që kishin ardhur për të bërë arrestin.

Policët thonë se Floyd rezistoi gjatë arrestimit, por avokati i zotit Chauvin nuk ka pranuar të komentojë dhe tre policët e tjerë nuk janë identifikuar publikisht.

George Floyd e kaloi fëmijërinë në lagjen Third Ward të Hjustonit, një ndër zonat e qytetit me shumicë afrikano-amerikane. Gjatë shkollës tetëvjeçare të zonës ai u njoh me Harris. Mbi 2 metra i gjatë, Floyd menjëherë filloi të dallohet në ekipin e futbollit amerikan në shkollë të mesme. Ai ishte pjesë e ekipit që konkurroi në finale e kampionatit mes shkollave të mesme në 1992, ku shkolla e tij doli në vend të dytë.

Donnell Cooper, një nga shokët e klasës së Floyd-it, e kujton sa popullor ishte ai në shkollë kur shënonte gola. Ai kishte fituar nofkën “gjigandi i butë”.

"Ishte i qetë, kishte një shpirt shumë të bukur,” tregon Cooper. Vdekja e tij “pa diskutim më shokoi. Ishte një lajm shumë i trishtueshëm, çfarë realiteti po jetojmë!”

Floyd u akuzua në 2007 për vjedhje me armë gjatë një ndërhyrjeje në një banesë private. Në 2009, pasi arriti marrëveshje me prokurorët, ai u dënua me pesë vjet burg, siç mësohet nga dokumentet gjyqësore.

Harris, tregon se Floyd dhe disa shokë të tjerë të fëmijërisë u vendosën në Mineapolis nga viti 2014 me shpresën se do ta kishin më të lehtë të gjenin punë. Harris thotë se ai vetë e kishte nxitur Floyd të shkonte në Mineapolis pasi doli nga burgu.

"Donte një fillim të ri. Më dukej i lumtur me ndryshimet që do të bënte,” thotë Harris.

Floyd gjeti punë si roje sigurie në Mineapolis në një dyqan Salvation Army, ku shiten mallra të përdorura dhe fondet e grumbulluara përdoren për bamirësi. Më pas filloi dy punë të tjera njëkohësisht: shofer kamioni dhe roje sigurie në restorantin Conga Latin Bistro. Në restorant njihej me nofkën “Floydi i madh”.

"Ishte gjithmonë me humor të mirë,” thotë pronari i restorantit, Jovanni. "Kishte gjithmonë reagim pozitiv. Bënte lëvizje të çuditshme për të bërë njerëzit të qeshnin. U përpoqa t’i mësoj vallzimin latin, por ishte e pamundur pasi ishte shumë më i gjatë se unë. Gjithmonë më thërriste ‘bos’. I thoja të mos më drejtohej me termin bos, se ishim miq”.

Harris thotë se Floyd e humbi punën në restorant kur u mbyllën restorantet për të penguar përhapjen e epidemisë. Ai tregon se kishte folur me Floyd-in një ditë para incidentit vdekjeprurës dhe i kishte sugjeruar disa kontate me agjenci punësimi.

"Po përpiqej me të gjitha mënyrat të vazhdonte jetën,” thotë Harris, duke shtuar se nuk beson që ai po merrej me falsifikime. “Nuk e kam pare asnjëherë të bëjë gjëra të tilla”.

Floyd lë pas vajzën gjashtë vjeçare e cila jeton në Hjuston me nënën e saj, Roxie Washington, sipas gazetës Houston Chronicle. Agjencia e lajmeve Associated Press tentoi të merrte komente nga zonja Washington të mërkurën, por nuk mori përgjigje.

"Mënyra se si vdiq ishte e pakuptimtë. Ai po lutej që të jetonte. Ai po përgjërohej. Sado që përpiqesh të kesh besim tek sistemi, tek një sistem që nuk është ndërtuar për ty, kur përpiqesh që të gjesh drejtësi përmes rrugëve ligjore dhe del bosh, fillon akte për ta vënë drejtësinë në vend”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG