Lidhje

SHBA, policët flasin kundër dhunës që çoi në vdekjen e afrikano-amerikanit në Mineapolis


This tweet posted by Chief David Roddy of the Chattanooga, Tenn., Police Department is seen May 28, 2020.

Vrasje. Brutalitet. E dënueshme. E pambrojtur. Policia në mbarë vendin, me një gjuhë të qartë dhe të pashembullt, ka dënuar veprimet e policisë së Minneapolisit për vdekjen nën arrest të një afrikano-amerikane të arrestuar, i cili thirri për ndihmë, pasi një oficer policie i vuri gjurin në qafë, ndërkohë që ai ishte i shtrirë në trotuar për të paktën tetë minuta.

Por disa aktivistë të të drejtave civile thonë se denoncimet e tyre janë fjalë boshe pa një reformë domethënëse prapa tyre.

Autoritetet thonë se George Floyd u arrestua të hënën sepse i ngjante një të dyshuari që u përpoq të paguante me para të falsifikuara në një dyqan, dhe 46-vjeçari i rezistoi arrestimit. Një video shqetësuese e një kalimtari tregon policin e bardhë Derek Chauvin duke vënë gjurin në qafën e zotit Floyd, madje ndërsa Floyd thoshte se nuk mund të merrte frymë dhe ngadalë ndaloi së foluri dhe së lëvizuri.

"Nuk keni nevojë të shikoni më videon," tha në një postim në Twitter David Roddy, Shef i Policisë së Çatanugës në Tenesi të mërkuren. "Nuk keni nevojë të prisni për të parë se si u zhvillua ngjarja. Nuk keni nevojë të vendosni gjurin në qafën e dikujt për nëntë minuta. Duhet bërë diçka për këtë. Nëse jeni në uniformë dhe nuk shihni asgjë të keqe me këtë, atëherë duhet ta ktheni atë".

Reagimi nga disa grupe të forcave të zbatimit të ligjit është në kontrast të madh me përgjigjen e heshtur ose mbështetjen e tyre për policinë pas vdekjeve të tjera nën arrest. Sherifët dhe shefat e policisë kanë kritikuar ashpër oficerin e Mineapolisit në mediat sociale dhe vlerësuan vendimin e shefit të policisë së këtij qyteti për largimin e shpejtë të katër policëve të përfshirë në këtë incident. Disa prej tyre madje bënë thirrje për ngritjen e akuzave penale ndaj katër policëve.

"Jam shumë i shqetësuar nga videoja që tregon vrasjen e zotit Floyd në rrugë ndërkohë që policët e tjerë po e lejonin këtë të vazhdonte," shkruajti në Facebook, Sherifi i Policisë në Distriktin Polk të Xhorxhias, Johnny Moats. "Unë mund t'i siguroj të gjithë se unë ose ndonjë nga zëvendësit e mi nuk do të trajtojnë askënd në këtë mënyrë për sa kohë që unë jam Sherif. Ky lloj brutaliteti është i tmerrshëm dhe duhet të ndalet. Të gjithë oficerët e përfshirë duhet të arrestohen dhe të sillen menjëherë akuza ndaj tyre. Lutem për familjen (e afrikano-amerikanit të vrarë)."

George Floyd protesters set Minneapolis police station afire
George Floyd protesters set Minneapolis police station afire

Zakonisht, policia bën thirrje për durim dhe qetësi në vazhdën e përdorimit të forcës. Ata nuk kanë dëshirë të peshojnë në incidentet që përfshijnë një agjenci tjetër, shpesh duke përmendur hetime në vazhdim ose të drejtën për një proces të rregullt.

"Nuk do të fshihem pas faktit se unë 'nuk isha atje'", thuhet në një postim të shefit të polcisë së San Hosesë (në shtetin e Kalifornisë), Eddie Garcia. "Unë do të isha nga të parët që do të dënoja një gjë të tillë sikur ajo të bëhej nga kolegët e mijë oficerë. Ajo që pashë, ajo që ndodhi me zotin George Floyd më shqetësoi dhe nuk është në përputhje me qëllimin e misionit tonë. Veprimi i një personi ndikon tek të gjithë”.

Por Gloria Browne-Marshall, një avokate e të drejtave civile dhe profesore në Kolegjin John Jay të Drejtësisë Penale, tha se ajo nuk do të ishte një “mbështetëse entuziaste” për një “grusht” shefash që dënuan ashpër sjelljen e oficerëve.

"Çdo përparim i vogël shihet si mrekullues sepse është bërë shumë pak për një kohë kaq të gjatë", tha ajo. "Ky (veprim) nuk është madje as afër progresit ose zemërimit që do të ndodhte në qoftë se vikima e këtij sulmi do të ishte një njeri i bardhë".

Melina Abdullah, bashkëthemeluese e organizatës Black Lives Matters në Los Anxheles, tha se ajo nuk ishte "prekur" nga një numër relativisht i vogël i policëve që shprehën zemërim për incidentin.

Zonja Abdullah tha se tre oficerët e tjerë që ishin dëshmitarë të veprimit të zotit Chauvin dhe nuk ndërhynë, kontribuan në ruajtjen e një sistemi të gjatë të racizmit dhe shtypjes policore kundër njerëzve me ngjyrë.

"Ne duhet të kujtojmë se nuk ishte vetëm oficeri Chauvin që ishte ulur (kishte vënë gjurin) në qafën e zotit George Floyd", tha ajo.

Zonja Abdullah dhe qindra të tjerë protestuan kundër asaj që ajo e quajti linçim të zotit Floyd në mbrëmjen e së mërkurës. Disa prej tyre bllokuan korsi të autostradave dhe thyen xhamat e disa makinave të policisë rrugore të Kalifornisë.

Mineapolisi po përgatitet për më shumë dhunë pas ditëve të trazirave civile, me ndërtesa të djegura, dyqane të plaçkitura dhe mbishkrime, në të cilat shpehej zemërim dhe bëhej thirrje për drejtësi. Guvernatori i Minesotës, të enjten aktivizoi Gardën Kombëtare. Të enjten në mbrëmje, protestuesit i vunë zjarrin një stacioni policie në Mineapolis që departamenti i policisë u detyrua ta braktiste.

Krerët e departamenteve të policisë në Los Anxheles dhe Çikago, të cilat në të kaluarën janë tronditur nga skandalet e brutalitetit të policisë, trajtuan vdekjen e zotit Floyd dhe efektin e tij të mundshëm në marrëdhëniet racore midis forcave të zbatimit të ligjit dhe komuniteteve me ngjyrë.

Edhe Departamenti i Policisë së Nju Jorkut foli për këtë çështje. Eric Garner vdiq në qytet në vitin 2014 pasi u vendos në një pozitë të ngulfatjes nga policia dhe shqiptoi të njëjtat fjalë që i tha zoti Floyd: "Nuk mund të marr frymë".

U deshën pesë vjet që zyrtarët e qytetit të shkarkonin oficerin dhe nuk u ngrit asnjë akuzë penale ose federale ndaj tij.

"Ajo që pamë në Minesota ishte jashtëzakonisht shqetësuese. Ishte e gabuar," tha të enjten Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, Dermot Shea. "Ne duhet të marrim një qëndrim për këtë dhe ta trajtojmë këtë çështje. Ne duhet të bashkohemi, t'i dënojmë këto veprime dhe të forcojmë identiten tonë si anëtarë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut. Kjo është e papranueshme kudo."

Para se të bëhej komisioner i policisë, zoti Shea kryesoi një nismë të bashkëpunimit të policisë me komunitetet, duke u larguar nga një stil më konfrontues i favorizuar nga komisionerët e tjerë pas vdekjes së zotit Garner.

Sherifi i Distriktit Harris në Teksas, Ed Gonzalez, i cili gjithashtu bëri një postim në internet, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se agjencitë e zbatimit të ligjit vazhdojnë të premtojnë reforma në vazhdën e incidenteve fatale, por ata "nuk po i zbatojnë ato në mënyrë të qëndrueshme".

"Kur gjërat e këqija ndodhin në profesionin tonë, ne duhet të jemi në gjendje t'i trajtojmë ato ashtu siç janë", tha ai. "Ne vazhdojmë të mendojmë se çdo incident që ndodh do të jetë i fundit, dhe më pas shfaqen incidente të tjera".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG