Lidhje

Maqedonia e Veriut, shtohen rastet me Covid-19 dy ditë pas lehtësimit të masave kufizuese


Vetëm dy ditë pas zbutjes së masave lidhur me koronavirusin dhe heqjen e ndalim qarkullimit, numri i të prekurve dhe viktimave është shtuar në zonat veriperëndimore te vendit. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 4 viktima dhe 52 raste rë reja. Shumica e këtyre në komunat dhe lagjet e Shkupit: Çair, Saraj, Hasanbeg Butel si dhe Tetovë e në qytetin e Shtipit. Katër viktimat janë nga Shkupi, Tetova dhe Shtipi.

Thellimi i krizës ka nxitur mjaft debate, duke përfshirë edhe politikën në këtë kohë që priten vendime për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u tha gazetarëve të premten se nëse do të vazhdojë të rritet numri i të infektuarve me koronavirus, sërish do të kthehen masat shtrënguese në ato komuna ku ka vatra potenciale të të prekurve. Personat e sëmurë janë infektuar si rezultat i grumbullimit në grupe dhe mosrespektimit të vendimit për mbajtjen e maskave dhe pajisjeve mbrojtëse, tha ministri. Një pjesë e pacientëve kishin refuzuar të bashkëpunojnë me mjekët epidemiologë, madje kishin gënjyer lidhur me kontaktet që kishin pasur; teksa ata që është dashur të qëndrojnë të izoluar, e kanë shkelur këtë urdhër. Zoti Filipçe i kërkoi ministrisë së rendit që të shtojë kontrollin dhe të ndëshkojë shkelësit e masave.

Drejtuesit vendorë të Tetovës e Çairit u kanë bërë thirrje banorëve që t’i respektojnë masat dhe të ruajnë distancën fizike dhe atë sociale. Kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu iu drejtua banorëve të premten me lutje për respektimin e masave. “Rreziku ende ekziston dhe mundësia për t’u infektuar ende është në masë të konsiderueshme. Prandaj le të bëhemi shembulli i mirë i kësaj ngjarje dhe jo e kundërta!”, u shpreh Ganiu.

Që nga përhapja e epidemisë në Maqedoninë e Veriut kanë humbur jetën 128 persona, ndërsa 2129 janë infektuar nga COVID-19. Maqedonia e Veriut është në krye te listës në rajon për nga vdekshmëria prej virusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG