Në Gjirokastër nuk ështe shënuar asnjë rast me koronavirus. por shërbimet shëndetësore vijojnë të punojnë me standartet e sigurisë në spitalin rajonal. Ndërhyrjet kirugjikale dhe vizitat mjekësore janë rikthyer pas gati dy muajsh ndërprerje. Specialistët e shëndetit publik vlerësojnë rolin që disa nga shërbimet elektronike kanë luajtur në periudhën e pandemisë për distancimin social dhe kërkojnë shtimin e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Raimond Kola sjell kronikën:
Korridoret e spitalit rajonal në Gjirokastër nuk kanë mbingarkesë pacientësh dhe distancimi social duket se ka ndikuar në uljen e problemeve shëndetësore stinore që shfaqeshin më parë. Në Gjirokastër nuk është shënuar asnjë rast infektimi me koronavirus, por spitali rajonal zbaton standartet e sigurisë, thotë per Zërine Amerikës nëndrejtori Roland Karalliu.
“Situata në spitalin e Gjirokastrës është relativisht e qetë. Periudhën e COVID 19, që vazhdon të jetë, por atë më intensive, ne e kaluam shumë mirë. Nuk kemi pasur asnjë rast me COVID dhe tamponet që kemi marrë të dyshuara dolën negativë. Morëm të gjitha masat qoftë edhe me kabinën që është vendosur në hyrje të spitalit, nëse dyshohej ndonjë rast, për ta izoluar menjëherë” .
Mjeku kirurg thotë më tej se këto ditë janë rikthyer operacionet kirurgjikale dhe shtrimet e pacientëve.
“Filluan të bëhen vizita në poliklinikë, sipas grafikëve dhe rekomandimeve të Ministrisë së
Shëndetësisë dhe janë rivendosur ndërhyrjet në shërbimin e Kirurgjisë dhe ObsetrikëGjinekologjisë. Aktualisht nuk ka një mbingarkesë në spital. Gjëja më pozitive është që edhe viroza nuk ka pasur shumë kete vit prej pandemisë dhe distancimit social. Për sa i përket infektivit ne kemi një shërbim të izoluar që e mbajmë në dispozicion sepse sëmundje infektive, si qëmoti, nuk kemi në Shqipëri dhe në Gjirokastër”.
Ndërsa Bledi Ahmeti përgjegjës në Shërbimin Parësor Shëndetësor në Gjirokastër thotë se Qendrat Shëndetësore tani funksionojnë me kapacitet të plotë duke zbatuar protokollet antikovid.
“Në të gjitha qëndrat shëndetësore është vendosur gjithashtu sinjalistika për distancimin social që të gjithë njerëzit që vijnë në mjediset shëndetësore të mbajnë distancën e caktuar.
Zoti Ahmeti thotë më tej se disa shërbime si receta elektronike kanë ndikur për trajtimin e pacintëve kronikë në distancë.
“Një pacient kronik nuk ka nevojë të vijë kohë pas kohe tek mjeku por mund të kontaktohet me mjekun përmes telefonit dhe funksionon receta elektronike. Kjo eviton edhe mbipopullimin e mjediseve shëndetësore që përbën rrisk për transmetimin e COVID”.
Zoti Ahmeti thotë se shërbimet dixihitale në mjekësi janë shumë të rëndësishme dhe modelet duhen shtuar për menaxhimin e situatave shëndetësore.
“Kjo është e ardhmja e shëndetësisë. Shërbimet dixhitale apo kujdesi shëndetësor dixhital është një komponet shumë i rëndësishëm i shërbimeve moderne shëndetësore. Nëpërmjet modeleve si “mjekësia një klik” ,modeli “teledoktor” , apo sistemet “on call” kane dhënë një ndihmesë të madhe në menaxhimin e shumë situatave problematike shëndetësore, duke filluar që nga kontaktet që njerëzit kanë me shërbimet e urgjencës, mjekët dhe infermierët” etj.
Personeli mjekësor në Shqipëri përbën grupin më të rrezikuar nga koronavirusi për shkak të kontaktit që ata kanë me pacientët dhe raste e infektimit janë bërë kohët e fundit në disa zona të vendit gjithnjë e më të shpeshta.
Facebook Forum