Lidhje

Beteja për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara


Vdekja e George Floyd me 25 mars në Mineapolis ishte rasti i fundit në një seri vdekjesh të afrikano-amerikanëve në duart e policisë në Shtetet e Bashkuara. Mbi 9 mijë njerëz janë arrestuar në protesta që nga vdekja e zotit Floyd. Marrëdhëniet racore kanë qënë temë debatesh në politikën e Shteteve të Bashkuara që nga vitet 1950-të. Materiali në vazhdim na sjell një pasqyrë të betejës për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara.

Ky është qyteti “Little Rock” në shtetin Arkansa. Është viti 1957, kur afrikano-amerikanët po protestojnë kundër diskriminimit.

Me 25 shtator të vitit 1957 në këtë qytet, trupat federale ndërhyjnë për të mbrojtur nëntë të rinjë afrikano-amerikanë të shkollës së mesme, të cilët

nuk lejoheshin të futeshin në shkollë nga një turmë e zemëruar njerëzish të bardhë. Garda Kombëtare u vëndos për të mbrojtur shkollën e mesme dhe nxënësit afrikano-amerikanë.

Tre vite më parë Gjykata e Lartë e pati deklaruar antikushtetues rregullin “të ndarë por të barabartë” për shkollat publike amerikane. Por ky vendim u prit me rezistencë të hidhur në jugun amerikan.

Linda Brown Smith ishte në klasën e tretë kur babai i saj hapi një padi në vitin 1952, që njihet sot si Brown kundër Bordit të Arsimit në Topeka të shtetit Kansas. Kjo çështje çoi në vendimin historik të Gjykatës së Lartë në vitin 1954 kundër ndarjes nëpër shkolla.

Në vitin 1955, Rosa Parks një grua afrikano-amerikane, refuzoi të lëshonte karrigen e saj në një autobus në qytetin Montgomery të Alabamës. Në atë kohë ndarje, afrikano-amerikanët duhet të uleshin në fund të autobusit. Ajo u arrestua për refuzimin. Veprimi i saj u bë simbol i zhvillimit të lëvizjes për të drejtat civile.

Martin Luther King Jr. ndihmoi në udhëheqjen e bojkotit të autobusëve në vitin 1955 në Montgomery, që Rosa Parks vuri në lëvizje.

Me këtë fushatë, zoti King filloi të vërë në jetë filozofinë e tij për veprim shoqëror pacifist dhe të drejtpërdrejtë.

Me 11 qershor të vitit 1963, guvernatori i Alabamës George Wallace mbajti qëndrim kundër integrimit racial në Universitetin e Alabamës.

Ai bllokoi portën, duke sfiduar urdhërin e një gjykate federale për lejuar dy studentë afrikano-amerikanë që të regjistroheshin në shkollë.

Guvernatori Wallace u tërhoq pasi Garda Kombëtare e Alabamës, nën urdhërat e qeverisë federale, u vëndos në kampus për të mundësuar hyrjen e studentëve.

Me 28 gusht të vitit 1963, 250 mijë afrikano-amerikanë marshuan pranë memorialit të Linkolnit në kryeqytetin Uashington, me kërkesa për të drejta civile, vende punev dhe liri. Tek monumenti i Linkolnit zoti King mbajti fjalimin historik “I have a dream” që kumbon edhe në ditët e sotme.

Ditën e Vitit të Ri në 1863, Presidenti Abraham Lincoln njoftoi heqjen e skllavërisë, çfarë shkaktoi rebelimin e disa shteteve kundër Uashingtonit.

Marshimi në Uashington shënoi 100 vjetorin nga kjo ngjarje historike dhe nevojën për më shumë punë për arritjen e lirive civile. Marshimi ndikoi që Kongresi të miratonte aktin për “Liritë Civile” në vitin 1964 dhe aktin e “Së drejtës për të Votuar” në vitin 1965.

Një gjeneratë e re udhëheqësish afrikano-amerikanë doli në skenë, përfshi reverendin Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X – nga rajone

dhe besime të ndryshme, por të gjithë kërkuan barazi racore dhe ekonomike.

Zoti King e bazoi fushatën e mosbindjes civile tek Mahatma Gandhi, ndërsa Malcolm X. mbështeti konfrontimin dhe arritjen e barazisë “me çdo mënyrë të nevojshme”.

Nga fundi i vitit 1964, pas vrasjes së Presidentit Kennedy, Presidenti Lyndon B. Johnson nënshkroi në ligj “Aktin për Liritë Civile”.

Megjithatë dhuna vazhdoi, në Meriland, Harlem dhe Rochester pati protesta, dhunë policore, plaçkitje dhe frikë.

Me 7 mars të vitit 1965 nisi marshimi nga Selma i shtetit Alabama me kërkesat për të drejta votimi për njerëzit e përjashtuar me ngjyrë. Marshuesit u rrahën nga organet e rendit mbi urën Edmund Pettus në atë që sot njihet si “E Diela e Përgjakshme”.

Vendi i tronditur shikoi në televizion brutalitetin e policisë dhe i kërkoi Uashingtonit që të ndërhynte dhe të mbrojte të drejtat e regjistrimit të votuesve afrikano-amerikanë.

Dr. Martin Luther King adresoi turmën ndërsa marshuan me një urdhër të një gjykate federale dhe nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare dhe trupave të rregullta, nën urdhërat e qeverisë federale. “Marshimi i Lirisë” u bë simbol i protestës jo të dhunshme.

Ngjarjet bënë që Kongresi të miratonte në vitin 1965 “Aktin për të Drejtën e Votës”, duke ndihmuar në integrimin e qeverive në jug.

Me 4 prill të vitit 1968, udhëheqësi Martin Luther King u qëllua për vdekje në Memphis të shtetit Tennessee.

Shtatë ditë më pas Presidenti Johnson nënshkoi “Aktin për Liritë Civile” që siguroi mundësi të barabarta strehimi pavarësisht racës, ngjyrës, besimit, gjinisë, paaftësisë, statusit familjar apo origjinës kombëtare.

Në korrik të vitit 2019, prokurorët federalë vëndosën të mos ngrinin akuza kriminale kundër një polici të bardhë në Nju Jork, në rastin e vdekjes në vitin 2014 të afrikano-amerikanit Eric Garner nga teknika e shtrëngimit të qafës.

Fjalët e fundit të tij ishin “I can't breathe” që do të thotë “Nuk mund të marr frymë”, një shprehje që sot është tjetërsuar në thirrje kombëtare kundër brutalitetit policor.

Vala aktuale e protestava filloi pasi një polic i bardhë në Minneapolis i vuri gjurin mbi qafë afrikano-amerikanit George Floyd për afro 9 minuta. Ndërsa i lidhur me pranga ai bënte thirrje se nuk mund të merrte frymë dhe vdiq.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG