Në Liban disa qindra protestues dolën në rrugë të shtunën, duke kërkuar që qeveria të japë dorëheqjen lidhur me trajtimin që i ka bërë një krize të thellë ekonomike ndërsa vendi vazhdon të përballet me vështirësitë të mëdha.
Demonstruesit, shumë prej të cilëve me maska e me flamurin kombëtar në dorë, u bashkuan në një shesh kryesor në Bejrut që ka qënë dhe epiqendra e protestave vitin e kaluar.
Qyteti ka qenë kryesisht i qetë gjatë muajve të fundit pjesërisht si pasojë e kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit. Protestat u shoqëruan me thirrjet që qeveria pesë-mujore të japë dorëheqjen e që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Të tjerë kërkuan çarmatosjen e grupit të fuqishëm paraushtarak shiit "Hezbollah".
Disa protestues qëlluan me gurë forcat e sigurisë dhe shkatërruan pjesët ballore të dyqaneve në një nga qendrat tregtare të shtrenjta në Bejrut. Policia reagoi me gaz lotsjellës, pamje këto që u trasmetuan nga mediat libaneze.
Kryeministri Hassan Diab e mori detyrën në janar me mbështetjen e Hezbollahut, grupim të mbështetet nga Irani dhe aleatëve të tij, pas rrëzimit nga protestat të qeverisë pararendëse.
Qeveria Diab ndodhet në bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një program që synon reformë ekonomike, me shpresën se do të sigurojë miliarda dollarë financim e të nxisë ekonominë që të rimarrë veten.
Kriza e gjatë financiare e Libanit shpërtheu në tetorin e kaluar dhe u shoqërua nga protesta masive kundër elitës drejtuese të vendit. Situata është përkeqsuar shumë që nga ajo kohë. Monedha vendase ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës së saj, çmimet janë rritur dhe kompanitë e goditura tashmë edhe nga koronavirusi, po mbyllin vende pune.
Facebook Forum