Lidhje

COVID 19, tjetër rekord rastesh të reja në Shqipëri


Spitali infektiv
Spitali infektiv

Në Shqipëri, numri i rasteve të reja me koronavirus, shënoi sot një tjetër pikë kulmore, duke arritur një tjetër nivel të lartë me 42 të prekur në 24 orët e fundit.

Përveç numrit të rritur, shqetësim përbën dhe fakti i shtrirjes më të madhe gjeografike të rasteve, të rishfaqura dhe në zonat që nuk kishin më të infektuar si në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore. Kryeqyteti, vijon të mbetet epiqendra e epidemisë, me 21 raste të reja, ndërsa në total janë 15 qytete me të prekur aktivë.

Rastet e ditëve të fundit po mbizotërohen nga persona me shenja klinike. Për pasojë është vënë re një tendencë në rritje edhe e të shtruarve në spital, ku aktualisht gjenden 46 pacientë pozitivë me COVID 19, ndërsa është rritur numri i atyre që janë në gjendje të rënduar. 7 prej të shtruarve janë në terapi intensive, ndërsa një tjetër është i intubuar.

Publikimi i të dhënave të përditësuara, u parapri nga një deklaratë e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, sipas së cilës situata është brenda pritshmërive të autoriteteve. Ministrja megjithatë përsëriti thirrjet drejtuar qytetarëve që askush të mos neglizhojë masat individuale të higjenës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve. Në të kundërt, sipas zonjës Manastirliu, kjo do të ishte një “recetë” për përhapje të shpejtë të infeksionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG