Lidhje

Tiranë: Opozita parlamentare kërkon thellimin e reformës zgjedhore


Në Tiranë, deputetë të opozitës parlamentare mund të mos miratojnë në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik.

Tiranë: Opozita parlamentare kërkon thellimin e reformës zgjedhore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Ata po kërkojnë depolitizimin e komisioneve zgjedhore, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe votimin e emigrantëve.

Përfaqësues të tre grupeve të opozitës parlamentare i kërkuan sot kryetarit të Kuvendit zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e administratës zgjedhore, ndryshimin e sistemit zgjedhor si dhe përfshirjen në procesin e votimit të emigrantëve shqipytarë.

Ata kërkuan që këto ndryshime të shqyrtohen dhe votohen në Kuvendin e Shqipërisë, si organi më i lartë ligjvënës, duke i quajtur të pamjaftueshme si reform zgjedhore pikat e marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik disa ditë më parë.

“Askush brenda apo jashtë institucioneve legjitime nuk mund të tallet me solemnitetin e votës sonë. Sot duhet reformë zgjedhore jo arnime zgjedhore. Jam deputet dhe, si deputet i grupit parlamentar që përfaqësoj, nuk do ta votoj arnimin e Kodit Zgjedhor, nëse nuk merren parasysh kërkesat tona” - tha pas takimit deputeti Myslim Murrizi.

Në takimin me kryetarin e Kuvendit ishin grupi parlamentar demokrat, grupi parlamentar i pavarur dhe grupi parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi”, ku deklaruan se për tre kërkesat e tyre kërkuan një takim edhe me kryeministrin, dhe deri atëherë nuk do të marrin pjesë në komisioniet parlamentare.

Një tjetër deputet i opozitës, Lefter Maliqi, tha se kryeministri nuk e do as reformën zgjedhore dhe as zgjedhjet, të cilat duhen zhvilluar sa më parë.

Tre grupet parlamentare që reaguan sot kanë 31 deputetë, kundrejt 75 deputetëve që ka grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor, të fiksuara në marrëveshjen e Këshillit Politik një javë më parë, duhen miratuar në Kuvend me 84 vota.

Por vëzhgues të jetës politike mendojnë se Partia Socialiste mund të gjejë edhe 9 votat që i mungojnë, nga radhët e opozitës, një pjesë e të cilëve veprojnë jashtë grupeve parlamentare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG