Lidhje

SHBA, mbi 2 milionë të infektuar me koronavirus; rihapja shoqërohet me shtim të rasteve


Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar deri tani zyrtarisht më shumë se 2 milionë raste me koronavirus.

Sipas shifrave të publikuara të enjten në faqen elektronike të qendrës për koronavirusin në Universitetin Johns Hopkins, SHBA ka numëruar deri tani 2,000,464 raste infektimesh, si dhe 112,924 vdekje. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë vendi me numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve nga sëmundja.

Të paktën 21 shtete amerikane regjistruan shifra rekord me koronavirus këtë javë, shumë prej tyre në pjesën qendrore, perëndimore dhe jugperëndimore të vendit, si Arizona, Nju Meksiko, Teksas dhe Jutah. Shtimi i rasteve regjistrohet ndërkohë që janë lehtësuar masat kufizuese në javët e fundit, si dhe pas Ditës së të Rënëve në fund të majit, kur shumë amerikanë mblidhen në aktivitete publike dhe fillojnë sezonin veror të pushimeve.

Rastet e reja bënë që zyrtarët në Kaliforni të anulonin festivalin e famshëm kulturor Coachella si dhe festivalin e muzikës kantri, Stagecoach që do të zhvilloheshin në tetor. Këto festivale zakonisht zhvillohen në prill por këtë vit u shtynë për në vjeshtë kur përhapja e epidemisë u bë shqetësuese.

Ekspertët shqetësohen se protestat mbarëkombëtare, të nxitura nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në Mineapolis gjatë arrestit, do të çojnë në rritje të re të infeksioneve. Protestuesit shihen në video duke ecur krahpërkrah, megjithëse shumë prej tyre mbajnë maska.

Zyrtarët në kompleksin argëtues Disney në Anahajm të Kalifornisë njoftuan të mërkurën se kanë në plan të fillojnë një rihapje me faza në disa prej parqeve të kompleksit më 17 korrik, në 65 vjetorin e krijimit të kompleksit. Kjo kompani e fuqishme e industrisë së argëtimit njoftoi një plan për rihapje me faza në kompleksin argëtues në Orlando të Floridas, në mes të korrikut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e identifikon Amerikën Latine si epiqendrën e re të botës në pandeminë e koronavirusit, ndërkohë që shifrat e fudnit tregojnë se numri total i rasteve me koronavirus përllogaritet në më shumë se 1 milion. Brazili, me mbi 772,400 raste të konfirmuara, është vendi me problemin më të rëndë në rajon dhe renditet pas Shteteve të Bashkuara në listën globale të vendeve me raste të konfirmuara.

Pas Brazilit, Peruja me mbi 207,000 raste është në vend të dytë në Amerikën Latine, pasuar nga Kili me 148,456 raste dhe më pas Meksika me 129,184 rste të identifikuara me koronavirus.

Në shkallë globale numërohen deri tani 7,397,349 raste të infektuarish dhe mbi 417,109 të vdekur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG