Lidhje

SHBA, "thellësisht të shqetësuara" për shpimet e Turqisë në Mesdhe


Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Turqisë që të ndalë shpimet në ujra të debatueshme të Detit Mesdhe, të shqetësuara se kjo lëvizje do të dëmtojë marrëdhëniet diplomatike me Greqinë. Tensionet mes fqinjëve të NATO-s po shtohen, dhe faktorë të tjerë në rajon po përpiqen të kontrollojnë zona të pasura me energji.

Paralajmërimi nga nënsekretari i Shtetit, Matthew Palmer shënon ndërhyrjen më të fortë të Uashingtonit der tani në një rivalitet të kahershëm lidhur me energjinë mes Greqisë dhe Turqisë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të shqetësuara nga aktivitetet e shpimit në ujrat në prag të Qipros. Këto veprime acarojnë tensionet në rajon dhe ne përsëri u kërkojmë autoriteteve turke që të ndalin të gjitha operacionet e shpimit pranë Qipros", tha zoti Palmer.

Paralajmërimi i tij, në një konferencë ndërkombëtare në Greqi, pason kërcënimet nga ana e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan se do të vazhdojë me shpimet, përfshirë planet për të dërguar një pus për eksplorim brenda ujrave territoriale të Greqisë, në brighet e ishujve grekë.

Turqia nuk e ka bërë të ditur konkretisht vendin, por ka paralajmëruar për shpimet që kur Erdogani nënshkroi një marrëveshje me detare me Libinë, që i jep mundësi Ankarasë të eksplorojë për gaz natyror dhe naftë, dhe të shfrytëzojë qindra kilometra të shtratit detar të Mesdheut nga brigjet e saj juglindore deri në Libinë Veriore.

Duke qenë se ishujt greke janë të përfshirë në këtë hapësirë, Turqia pretendon se marrëveshja i jep gjithashtu të drejtëm të vëzhgojë ujrat greke. Geoffrey Pyatt, ambasadori amerikan në Greqi, thotë se ky interpretim është i gabuar.

“Nuk ndihmon dhe është provokues në çdo kuptim, por mbi të gjitha (marrëveshja) nuk mund të nënkuptojë marrjen e të drejtave të Greqisë", tha ambasadori Pyatt.

Megjithatë tensionet mes Greqisë dhe Turqisë vazhdojnë të intensifikohen.

Ditët e fundit, udhëheqësit e dy vendeve kanë sfiduar të drejtat e sovranitetit të njëri-tjetrit, duke thënë se janë gati të shkojnë në luftë për të mbrojtur veten.

Zoti Palmer po i këshillon të dyja palët të tërhiqen nga çdo veprim që mund të përbëjë konfrontim.

“Si aleate, Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se tensionet në rritje mes Greqisë dhe Turqisë mund të rezultojnë në një incident që mund të sjellë pasoja të paqëllimshme. Në të kaluarën, kemi parë se si incidentet në rajon janë përshkallëzuar me shpejtësi. U bëjmë thirrje Greqisë dhe Turqisë që të sigurohen që kanalet e komunikimit të mbeten të hapura mes këtyre dy aleatëve të NATO-s", tha ai.

Greqia dhe Turqia nuk kanë pasur kontakte diplomatike për këtë çështje deri tani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG