Lidhje

Shqipëri, tjetër viktimë nga COVID 19, rastet e reja mbeten të larta


Në Shqipëri sot u rregjistrua një tjetër viktimë e COVID 19, e dyta brenda harkut të 24 orëve. Bëhet fjalë për një grua 82 vjeçare nga Tirana, e cila dyshohet të jetë prekur gjatë shtrimit në spital. Numri total i viktimave nga Koronavirusi shkon në 38

Autoritetet shëndetësore njoftuan dhe për 50 raste të infektuarish të rinj, në 9 qytete të vendit, nga Veriu në Jug, “12 raste në Shkodër, 11 në Tiranë, 7 në Vlorë, 6 në Krujë, 5 në Korçë, 4 në Durrës, nga 2 raste në Pukë dhe Kurbin, dhe 1 rast në Lushnje”, bëri të ditur Rovena Daja e Institutit të Shëndetit Publik.

Që prej datës 9 qershor, ka patur një shtim shqetësues të rasteve, duke kapur deri më sot shifrën e 459 personave, ose pak më shumë se 1 e katërta e totalit të të prekurve që nga fillimi i pandemisë në muajin mars. “Rritja e rasteve ditore pozitive në javën e fundit lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore. Kjo ka bërë që krahas të prekurve që janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, të kemi dhe transmetim komunitar në disa bashki të vendit”, deklaroi zonja Daja.

Në të gjithë vendin janë 608 persona aktivë me COVID19, të shpërndarë në 18 qytete, por numri më i madh i tyre është në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Vijon të rritet numri dhe i atyre që shtrohen në spital e veçanërisht i personave në gjendje të rëndë. “Aktualisht në shërbimin infektiv po trajtohen 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar”, shpjegoi zonja Daja.

Nisur nga situata e krijuar, autoritetet kanë përforcuar thirrjet e detyre drejtuar qytetarëve për respektimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë shëndetësore. “Shtimi i rasteve pozitive në aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë mund të shoqërohet me rritje të shtrimeve në spitale dhe të atyre që kanë nevojë për terapi intensive. Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara”, tha sot zonja Daja, duke shtuar se “maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh”.

Një vatër infeksioni është rregjistruar prej ditësh dhe në Qendrën spitalore universitare Nënë Tereza, ku virusi është përhapur në disa pavione. Për këtë arsye autoritetet po këshillojnë gjithashtu që “familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG