Lidhje

Tiranë, shkarkohet gjyqtarja Fatmira Hajdari për pasuri të pajustifikuar


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari.

Vendimi i zgjeruar pritet të dalë pas disa javësh, por vlerësohet se ai erdhi prej pasurive të pajustifikuara të zonjës Hajdari dhe pas revokimit të dy vizave amerikane për udhëtime drejt SHBA-ve.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, u pyet të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për transaksionet me prona, për ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për bilancin negativ në pasurinë, që shkon në rreth 500 mijë dollarë.

Tiranë, shkarkohet gjyqtarja Fatmira Hajdari për pasuri të pajustifikuar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

Në Komision u përmendën një sërë pasurish, që nuk ishin deklaruar asnjëherë. Po ashtu, zonja Hajdari u vlerësua pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rivlerësimi për zonjën Hajdari u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.

Relatorja tha se zonja Hajdari nuk i deklaroi dy vizat amerikane si të revokuara, duke shënuar nëpër formularë se nuk i ishte refuzuar hyrja në vende të BE-së apo Aleancës së Atlantikut. Ajo citoi deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, sipas të cilës, “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar”.

Zonja Hajdari tha se nuk ishte në dijeni të revokimit të vizës amerikane para datës së dorëzimit të formularëve, ndërsa dha shpjegimet e saj edhe mbi pronat e shtuara në vite, mes të cilave 12 apartamente dhe 3 dyqane në një pallat ndërtuar pa leje dhe veprime të ndryshme financiare, që lidheshin me lokale dhe ndërtime.

Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, vajza e gjyqtares Fatmira Hajdari, tha sot në Kuvend se shumë njerëz menduan se ajo erdhi në politikë dhe në institucionin ligjvënës thjesht për të mbrojtur nënën e saj, por se ata e sot e morën përgjigjen.

“Unë besoj tek reforma në drejtësi dhe nëse e them këtë për time më, e them edhe për çdo gjyqtar dhe prokuror dhe do ta mbështes këtë reformë deri në fund, sepse shkoj përtej interesave të familjes time” - tha deputetja Hajdari.

Fatmira Hajdari, e veja e ish-deputetit democrat dhe drejtuesit të Lëvizjes antikomuniste të dhjetorit ’90, nisi karrierën në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, dhe pas 10 vjetësh, më 2013 u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Zonja Hajdari ka të drejtën e ankimit në Komisionin e Pavarur të Apelimit. Sipas treguesve të deritanishëm, asnjë person, që është ankuar në KPA për shkarkimin, nuk e ka ndryshuar dot rezultatin, pasi standarti i KPA-së, sidomos përsa i takon pasurive të pajustifikuara, është shumë më i rreptë se sa ai i KPK.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG