Lidhje

Shqipëri, tjetër viktimë nga Koronavirusi, e pesta brenda një jave


Në Shqipëri u rregjistrua sot viktima e pestë nga COVID 19 brenda javës së fundit, duke e çuar në 39 numrin e atyre që kanë humbur jetën. Sipas njoftimit zyrtar 67 vjeçari nga Shkodra “i konfirmuar pozitiv me Covid19, vuante nga insuficienca kardiake dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Pas disa ditëve në terapi intensive, i intubuar, 67 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”.

Autoritetet shëndetësore bënë të ditur gjithashtu se vijon të jetë i lartë dhe numri i rasteve të reja të konfirmuara në 24 orët e fundit. Në 9 qytete të ndryshme të vendit janë zbuluar 66 të infektuar, ku gati gjysma janë në kryeqytet, dhe “kryesisht kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, si dhe raste të reja në proces hetimi”, deklaroi Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Që nga data 9 qershor kur nisën të regjitrohen nivele të larta ditore, numri i të infektuarve deri më sot është 525 persona, ndërsa totali që nga nisja e pandemisë në mars ka arritur në 1788 të prekur.

Edhe në spital, situata mbetet problematike, me rritje të pacientëve dhe një numër të lartë të atyre që janë në gjendje kritike. Sipas të dhënave të sotme, në spitalin infektiv janë 55 të shtruar, nga të cilët 2 të intubuar dhe 8 të tjerë në terapi intensive.

MInistria e Shëndetësisë përsëriti sot thirrjet drejtuar qytetarëve dhe bizneseve për zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë. “Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid 19”, theksoi zonja Cami.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG