Lidhje

Opinioni i Komisionit të Venecias: “Paketa anti-shpifje nuk është gati për zbatim”.


Komisioni Europian për Demokraci për Ligjit publikoi sot Opinionin e vet mbi ndryshimet ligjore mbi shërbimet e mediave audio-vizuale në Shqipëri. Komisioni theksoi se projekt-amendamentet e ligjit nuk janë gati për t’u zbatuar në formën e tyre aktuale. “Ligji vuan nga paqartësitë dhe rrezikon të shtypë në mënyrë të ngurtë diskutimin e lirë dhe shprehjen politike përmes internetit në Shqipëri” - vlerësoi Komisioni i Venecias. Një prej mangësive kryesore është zgjerimi i komptencave të AMA-s për të ushtruar kontroll editorial ndaj përmbajtjes së botimeve në mediat online. “Kjo nuk është e qartë në ligj dhe ka rrezik që blogerët individualë, përdoruesit e platformave sociale do të goditen nga ky ligj, ndaj është thelbësore që projekt-ligji të përjashtojë nga fusha e veprimit çdo prodhim joprofesional në mediat online”. Kërkesa e ligjit për të zbuluar burimet e mediave shqiptare online numërohet si një tjetër problem kryesor. “Kjo mund të shkojë në kundërshtim me standartin ndërkombëtar, sipas të cilit, duhet respektuar gjithmonë dëshira e përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre” - thuhet në Opinionin e Komisionit të Venecias. Ai theksoi se AMA mund të ndërhyjë në ushtrimin e lirisë së shprehjes ndërsa pavarësia e saj është në dyshim, ndaj procedura e ankesave nuk ofron masa mbrojtëse të mjaftueshme, pasi vendimet mund të merren në mënyrë shumë të shpejtë për gjoba të rënda për t’u zbatuar menjëherë dhe për heqjen e menjëhershme të shkrimeve nga interneti. “Kapaciteti ekonomik i këtyre mediave nuk është një faktor që merret parasysh në përmasat e gjobës, e cila mund të sjellë paralizimin e mediave të vogla (edhe të blogerëve individualë) me gjoba joproporcionale në raport me fuqitë e tyre” - thuhet në Opinion. Sipas Komisionit të Venecias, kjo do të zmadhojë rreptësinë e këtyre masave dhe do të nxitë auto-censurën, duke dëmtuar debatin politik, që është thelbësor për cdo demokraci. Komisioni i Venecias rekomandoi të rishqyrtohet miratimi i projekt-ndryshimeve në ligj përkatës, të votuara nga parlamenti shqiptar në dhjetor 2019. Ai nxiti autoritetet shqiptare të mbështesin ngritjen e një njësie vetë-rregulluese, me funksionim të efektshëm, ku të përfshihen gjithë aktorët përkatës në fushën e medias, të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe të respektueshëm për media të përgjegjshme në fushën e gazetarisë online. “Do të ishte e dobishme edhe të rishikohet metoda e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s për t’u siguruar që këto institucione kanë një përbërje pluraliste, me individë të kualifikuar, përfaqësues të bashkësisë së medias, dhe që gëzojnë një autonomi të besueshme prej qeverisë dhe kontrollit të korporatave” - thuhet në Opinionin e Venecias. Në dokument theksohet se institucionit të AMA-s i janë dhënë fuqi të mëdha administrative përballë mediave online, gjë që është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online, duke nisur që nga kufizimet, pasi ka dyshime mbi pavarësinë e këtij institucioni. “Këto fuqi të reja nuk duhet t’u besohen institucioneve të tilla pa u siguruar më parë nëse janë të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave, ose interesat e korporatave të lidhura me politkën” - thotë Komisioni i Venecias. Qeveria socialiste tha se propozoi të ashtuquajturën paketën anti - shpifje për të frenuar shpifjet dhe fyerjet në mediat online, dhe e miratoi atë më 18 dhjetor në parlament, megjithë protestat e vazhdueshme nga bashkësia e gazetarëve shqiptarë. Deputetët socialist u tërhoqën nga paketa ligjore, duke thënë se do të pritnin Opinionin e Komisionit të Venecias.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG